RTSH Sport Live

Etien Tobua: ‘Tokio 2020’, një Olimpiadë e pashembullt

  • 04/09/2021
  • |
  • Tokio 2020
Etien Tobua: ‘Tokio 2020’, një Olimpiadë e pashembullt
Drejtori i përgjithshëm i Lojërave Olimpike “Paris 2024” rrëfen përgatitjet e francezëve

Drejtori i përgjithshëm i Lojërave Olimpike “Paris 2024”, Etien Tobua e vlerësoi të premten Tokion për aftësinë e “jashtëzakonshme” për të mbajtur Olimpiadën në mes të epidemisë së virusit korona. Madje, ai shtoi se Parisi është gati për ta marrë stafetën ndërsa tani po përgatitet për të organizuar Lojërat Olimpike pas 3 vitesh. Tobua këmbënguli se organizatorët e Olimpiadës së Parisit do të jenë plotësisht të gatshëm për t’u përballur me çdo sfidë të mundshme, për të ofruar dhe garantuar një ngjarje të suksesshme.

“Reagimi im i parë (rreth mbajtjes së Lojërave Olimpike gjatë epidemisë) është se ne duhet të falënderojmë miqtë tanë japonezë, që ishim në gjendje të mësojmë diçka të veçantë në këtë situatë, është mahnitëse, është një arritje e jashtëzakonshme”, tha Tobua, i cili është në vizitë në Tokio për të parë nga afër Lojërat Paralimpike.

 “Ata duhej të përballeshin me virusin “Covid-19”, dhe bënë një punë fantastike, - ka vijuar ai. - Natyrisht që shpresojmë se pas 3 vitesh, virusi do të jetë hedhur prapa, ose jo në të njëjtin nivel shqetësimesh. Por patjetër që kemi mësuar shumë nga kjo.” Organizatorët e Tokios, të cilët tashmë kishin shtyrë Olimpiadën për një vit për shkak të epidemisë, morën vendimin e jashtëzakonshëm për të mbajtur Lojërat Olimpike pa spektatorë për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.

Ata gjithashtu zbatuan një sërë masash mbrojtëse duke përfshirë testimin e shpeshtë për koronavirus, mbajtjen e detyrueshme të maskave dhe një mjedis të veçantë për sportistët, të cilit nuk do të kishin kontakt me pjesën e jashtme.

Në fakt, organizatorët të gjitha këto rregulla i përshkruan në “librat e lojërave” që i shpërndanë për sportistët dhe pjesëmarrësit e tjerë olimpikë. Lojërat Paralimpike të Tokios do të mbyllen të dielën, dhe pastaj menjëherë do të fillojë numërimin mbrapsht për Lojërat e ardhshme Verore, që pritet të hapen në Paris më 24 korrik të vitit 2024.

 “Bazat për Lojërat Olimpike “Paris 2024” janë atje”, - ka thënë më tej Tobua, duke vijuar: “Ne jemi gati t'i përballojmë ato sfida dhe do të na duhet të përshtatemi. Dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë. Ne po flasim për epideminë sot, ndoshta nesër është një valë nxehtësie, dhe të gjithë e dinë që çdo Lojë ka pasur sfidat e saj në të kaluarën, dhe ne do të përpiqemi të jemi sa më të gatshëm për t'u përballur me to”.

Parisi do të bëhet qyteti i dytë pas Londrës që pret tri herë Lojërat Olimpike. Kryeqyteti francez i mbajti Lojërat për herë të fundit në vitin 1924. “Ne po vijmë në një fazë emocionuese ku do t’u japim jetë shumë programeve që flasin për publikun e gjerë”, tha ai, duke vënë në dukje arritjet e ardhshme duke përfshirë strategjinë e programit vullnetar, zbulimin e maskotave dhe programin e biletave. “Ne ndihemi shumë të sigurt se do të jemi në gjendje ta mbajmë këtë Olimpiadë me publikun e pranishëm”, - ka përfunduar Tobua.