RTSH Sport Live

“Ambasadori” Muriqi shënon gola për Mallorca-n dhe… Kosovën

  • 01/03/2023
  • |
  • Spanjë
“Ambasadori” Muriqi shënon gola për Mallorca-n dhe… Kosovën

Vedat Muriqi do të përdorë sportin për politikë por në këtë rast për një qëllim të drejtë. Bomberi i Mallorca-s, i cili në këtë sezon ka shënuar 9 gola duke e ndihmuar skuadrën ishullore me pikë të rëndësishme mbijetese, po kalon një moment të artë.

Ai është një ambasador i vërtetë i Kosovës në Spanjë, vend që nuk e ka njohur ende pavarësisinë e shqiptarëve matanë kufirit tonë verior. Falë tij, në Gadishullin Iberik, Kosova është shumë herë më e njohur ndërsa shqiptarët nuk konsiderohen vetëm njerëz probematikë por edhe të talentuar e punëtorë.

Bomberi është nderuar me një çmim nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe në mesazhin që ai ka dhënë, është shumë i qartë. “Besoj që deri më sot e përfaqësova Kosovon ashtu siç duhet. Jo vetëm me prfesionin tim, por edhe jashtë fushës, me karakterin tim. Pa asnjë dyshim që kjo do të vazhdoj kështu, edhe brenda, po ashtu edhe jashtë fushës. Ndihem krenar që e përfaqësoj shtetin tim jashtë vendit, sidomos në Spanjë, që fatkeqësisht nuk na njeh. Me këtë fuqi dhe me këtë kurao që kam,shpresoj që të ndihmon shtetin tim që Spanja të na njohë si shtet”, deklaroi ish-sulmuesi i Besës dhe Teutës.

Pasi u largua nga kampionati shqiptar nisi një rrugëtim të suksesshëm jashtë kufijve në Turqi e më pas në Itali ndërsa sot konsiderohet një nga sulmuesit më të rëndësishëm të La Liga-s ku ka gjetur rrugën e rrjetës në tre ndeshjet e fundit.