RTSH Sport Live

“Australian Open” në tenis mund të anulohet, e pranojnë organizatorët

  • 01/06/2020
  • |
  • Të tjera
“Australian Open” në tenis mund të anulohet, e pranojnë organizatorët

“Australian Open” në tenis, që është planifikuar të mbahet në Janar të 2021, mund të anulohet, thanë organizatorët e saj. Megjithatë organizatorët shprehen se do ezaurojnë të gjitha mundësitë për zhvillimin e saj, me shpresën se kriza e COVID-19 do të lehtësohet.

Me mbylljen e kufijve globalë, kalendari i tenisit për këtë vit është pezulluar deri më 13 korrik, por ky pezullim mund të zgjasë dhe të prekë dhe kompeticionet e tjera.

Hapja e sezonit Grand Slam është planifikuar të zhvillohet në Melbourne në datat 18-31 janar, më shumë se tetë muaj larg dhe kompetcioni Australian ashtu si ato që ishin planifikuar të mbaheshin për vitin 2020, por u pezulluan, mund të pezullohet duke respektuar kufizimet që mund të përcaktohen.

“Ne nuk kemi asnjë sekret lidhur me skenarët që mund të hartojmë për mbajtjen e kompeticioneve. Gjithccka mund të ndodhë, por ne po shpresojmë për më të mirën, duke planifikuar gjithçka”, tha një zëdhënëse për AFP.

Mundësitë variojnë nga anulimi deri në vendosjen në karantinë të lojtarëve të huaj dhe lejimi vetëm i tifozëve Australianë në këtë kompeticion.

“Ne duhet të shohim të gjitha mundësitë pasi shumë vendime janë përtej kontrollit tonë. Ato lidhen me udhëzimet e kufizimet që do përcaktojë qeveria. Ne duhet të respektojmë të gjitha protokollet për të siguruar sigurinë e të gjithëve “, tha ajo.

 “Wimbledon” i këtij viti është anuluar për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe “French Open” u shty deri në fund të shtatorit.

Shoqata e Tenisit e Shteteve të Bashkuara do të vendosë në mes të qershorit nëse “US Open” do të jetë në gjendje të luhet në gusht.