Humbja në Izrael nuk është një rrufe në qiell të hapur, por rezultat i menaxhimit të dobët ndër vite të Kombëtares Shqiptare. Ish-trajneri, Astrtit Hafizi, thekson se rruga e ndjekur deri tani nuk i ka çuar në asnjë drejtim, lojtarët, skuadrën, por edhe vetë ambjentin kuqezi që kërkon përgjigje të rëndësishme për të ardhmen.
“Besoj se është shumë e thjeshtë. Akoma ekipi kombëtar nuk ka krijuar një identitet të vetin. Nuk ka një ide, apo një mendim për lojën. Çdo gjë i lihet rastësisë. Ndaj jemi në këtë gjendje dhe jemi këtu ku jemi”.
Një emër që ka ndarë ambjentin në qëndrime është Armando Broja por trajneri shkodran nuk ka dyshime kur pyetet për talentin 21-vjeçar.
“Në radhë të parë – thotë Hafizi – kemi fatin e madh që kemi një lojtar të tillë. Sepse duhet ta pranojmë që ekipi kombëtar nuk ka patur asnjëherë futbollistë në parametra të tillë. Kjo të paktën me shenjat që ka dhënë në fushën e lojës. Për t’i dhënë ngjyra të tjera formimit të tij, apo se çfarë jep në lojë diskutimet janë nga më të ndryshmet. Apo në një farë mënyrë më duket se janë justifikime. Duke filluar ndoshta nga vetë Reja që jep disa mendimet që ndoshta nuk janë të përshtatshme, sepse lojtarë të tillë duhet të mbrohen nga vetë trajneri. Nuk është ky që do t’i zgjidhi të gjitha problemet e ekipit kombëtar. Kushdo mund të flasë, por ai si trajner duhet ta mbrojë dhe ta godasë aty ku duhet në stërvitje pa e kuptuar njeri. Lojtarë të tillë i kemi të pakët”.
Për Hafizin, trajneri Edoardo Reja ak rezultuar thjesht një flluskë sapuni pavarësist emrit të madh që mbart mbi vete dhe arsyeja e dështimit të tij është mungesa e llogaridhënies.
“Ai si trajener duhet të jetë shumë i gëzuar dhe komod në punën e tij sepse nuk jep llogari askund. Si nga Federata Shqiptare e Futbollit, apo dhe vetë presidenti, i cili ka ekskluzivitetin e zgjedhjes së trajnerit, nuk i kërkohet llogari. Dhe për të gjitha rezultatet askush nuk jep llogari. Trajnerët e tjerë, duke përfshirë dhe mua që kam qenë përpara 25 vitesh, kemi dhënë llogari. Trumbetohet më të madhe do të marrim vendin e parë në grup, do të kualifikohemi për në Kampionatin Europian, apo Botëror, dhe më pas ngelim në vendnumëro. Po i referohemi ndeshjeve të fundit, dy fitoret me Hungarinë ishin të rastësishme. Pra duhet të ketë një zgjedhje më të qëndrueshme”.
Kombëtares nuk i mungon një emër por një filozofi e qartë loje që vjen nga një strategji e mirëmenduar dhe sipasm trajnerit shkodran kjo është mënyra e vetme për t’u rikthyer te rezultatet dhe vazhdimësia.
“Duhet trajner me mendim për lojën. Mirëpo ato nuk afrohen për shkak të financave. Pra të kemi një identitet në lojë dhe të kthehemi tek rezultatet e duhura”, përfundon Hafizi.