RTSH Sport Live

“Edhe nëntë finale”, Edi Martini në të gjithë fushën: “Elvis Plori? Nuk e njoh”

  • 11/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
“Edhe nëntë finale”, Edi Martini në të gjithë fushën: “Elvis Plori? Nuk e njoh”
Trajneri i Teutës, Edi Martini në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në RTSH

Trajneri i skuadrës së Teutës, Edi Martini në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në RTSH, ka bërë një analizë të skuadrës bregdetare, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe, siç ishte rasti me zv-trajnerin e Vllaznisë, Elvis Plori, i cili në emisionin e javës së kaluar deklaroi se Teuta luan futbollin më të shëmtuar nga skuadrat që pretendojnë.

“E kemi patur problem ndeshjet e cilësua si të lehta gjatë sezonit të kaluar. Hija e sezonit të kaluar vazhdon të na ndjekë në analizat që bëhen. Por ndryshimi është që në këtë sezon jemi më të pjekur, edhe më afër fundit të kampionatit dhe objektivat nuk të lejojnë të kalosh në eufori, jemi me këmbë në tokë. Edhe eksperienca ka të bëjë shumë, sepse lojtarët tanë kanë një eksperienc mjaft të madhe, e dinë se çfarë kërkojnë. Është më e lehtë, sepse e dimë që jemi afër finishit dhe gabimet kushtojnë”.

“Tani pak rëndësi ka se cila skuadër është përpara, të gjitha i konsiderojmë si një finale. Madje kam kohë që u them lojtarëve, edhe me humor, që kjo është finale. Deri në fund na kanë mbetur edhe nëntë finale”. 

U shënuan dy gola, nuk u pësua asnjë goditje në kuadrat – “Jo më kot jemi mbrojtja më e mirë. Por dua të theksoj diçka, mbrojtja më e mirë nuk do të thotë që ne kemi qëndruar në mbrojtje, kemi pritur kundërshtarin para porte, kemi pritur kundërshtarin të na sulmojë. Sulmet nuk kanë reshtur, ne kemi mbrojtur mirë. Jemi një skuadër që nuk qëndrojmë në mbrojtje, luajmë hapur. Duke pasur parasysh lojtarët që kemi në këtë repart, me Todorovski, që është 35 vjeç sot, apo Hoxha, Arapi e të tjerë, janë në një gjendje shumë të mirë, janë lojtarë të pjekur. Por edhe mesfusha e sulmi ndihmojnë shumë”.

Sulmi – “Është fakt që kemi shënuar pak gola, por nuk është vetëm i joni ky difekt, është i gjithë Kategorisë Superiore, për të mos thënë edhe më gjerë. Partizani ka shënuar pak më tepër, me një ndeshje që mund të ketë fituar 5-0 apo 5-1, por me një ndeshje nuk mund të thuash se ke sulmin më të mirë. Po shikojmë që të gjithë ekipet kanë problem me sulmin, pjesë e tyre jemi edhe ne. Por dua të them se pjesa jonë e sulmit është në gjendjen më të mirë, pasi kanë shënuar lojtarët kryesorë. Dëshira ime më e madhe është që të zhbllokohej Krasniqi, sepse është një lojtar që punon, vrapon shumë, e ndihmon ekipin në të dyja fazat. Shpresoj shumë që golat e tij të jenë më të vlefshëm tani, janë edhe 9 javë kampionat”.

Replika me Elvis Plorin – “Nuk e njoh, nuk e di ku ka luajtur futboll, nuk e di ku ka drejtuar. Gjithsesi, unë merem me skuadrën time, nuk kam kohë me u marrë me të tjerët, kështu që… pak më intereson. Jam super i kënaqur me lojën e Teutës, shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm loje, sepse jemi në vend të parë dhe kjo është ajo që më intereson më tepër”.

Barazimet e shumta – “Kemi marrë shumë barazime në fazën e parë dhe pjesërisht në fazën e dytë. Ajo që ishte më e dëmshjma për ne si ekip, ka të bëjë me faktin se ne nuk bëmë fare pushim. E filluam kampionatin menjëherë pas Kupave të Europës. Skuadrat e tjera kishin kohë që të pushonin dhe të përgatiteshin. Nëse kampionati do të fillonte pas Kupave të Europës, jam i bindur që ne do të ishim shumë të shkëputur, sepse gëzonim një formë shumë të mirë. Me atë ritëm që kishte marrë ekipi do të ishim shumë larg. Megjithatë, ai bojkot që u bë, pas asaj gjendja të mirë, do të vinte një rënie. Por, me thënë të drejtën, për mënyrën se si i kemi marrë ato barazime, ne kemi dominuar në lojë. Tani është një histori tjetër, kampionati ka nisur të numërohet mbrapsht dhe e dimë që çdo barazim na kushton. Por edhe skuadrat e tjera kanë barazuar shumë, sepse diferenca nuk është shumë e madhe, unë e shikoj gotën gjysëm plotë. Pengu im? Janë vendimet e arbitrave, që na kanë penalizuar në disa ndeshje. Pa hequr përgjegjësitë nga vetja, se dhe ne kemi gabimet tona, këto kanë qënë dy arsyet që ne nuk kemi qënë në ritmin e kërkuar”.

Gjendja psikologjike – “Janë një grup lojtarësh që unë jam me fat që i stërvis. Përveç kualitetit në anën sportive, kanë dhe një karakter shumë të fortë. Mund të hem se funksionojmë si një familje. Atmosfera është shumë e mirë, ka entuziazëm. Unë e shikoj në mënyrën se si dalin në stërvitje, komunikimi me ta është shumë i afërt, janë lojtarë që të shikojnë në sy kur flet, kanë dëshirë për të punuar. Edhe eksperienca e sezonit të kaluar, ku fituam Kupën dhe Superkupën, gjë që i motivon. Kemi besimin më të madh që mund tia dalim”.

Forma e Bregut – “Ne kemi qënë të sigurtë për Bregun se do të mbërrinte te kjo ditë dhe do të vazhdojë edhe në vijim. Në fillim nuk ishte në gjendjen e tij optimal, ishte e natyrshme, sepse kishte dy muaj që nuk stërvitej, stërvitej individualisht duke pritur kontrata nga jashtë. Më pas filloi stërvitjen, edhe me ne edhe në mënyrë individuale dhe mbërriti në këtë ditë. Në Kupë dhe kampionat përballë Skënderbeut, cilën do zgjidhja? Nuk mund të bëja një ndarje, do të luftojmë për të dyja”.

Faktori fushë – “Ka shumë pak rëndësi faktori fushë, sepse nuk ka tifozë. 20-30 veta që vijnë, nuk janë një shtysë e madhe për ekipin. E rëndësishme është cilësia e fushave”.

Presidenti i Teutës – “Është një nga presidentët më të qetë, matet mirë. Edhe na kritikon, edhe na përgëzon. Është një njeri që ka durim shumë të madh, një zemër të madhe. Do doja tia shpërbleja besimin që më ka dhënë me një titull kampion”.