RTSH Sport Live

 “Eurobasket 2022”, me ngjyra… amerikane

  • 01/09/2022
  • |
  • Basketboll
 “Eurobasket 2022”, me ngjyra… amerikane
34 lojtarë të 11 ekipeve të NBA-së konkurrojnë në turneun kontinental

Me ndeshjen midis Spanjës dhe Bullgarisë, ka ngritur zyrtarisht siparin Kampionati Evropian i Basketbollit për Meshkuj, “Eurobasket 2022”. Ky edicion parashikohet të jetë më i forti dhe më interesanti në historinë e këtij turneu kontinental për shkak të konkurrencës së madhe për titullin e “kampiones” së Evropës. Për më tepër që “Eurobasketi” kthehet në skenë pas 5 vitesh mungesë, për shkak i epidemisë globale të virusit “Covid-19”. Herën e fundit, Kampionati Evropian u mbajt në vitin 2017, aty ku triumfoi Sllovenia. Ashtu sikundër ai i vitit 2015 dhe i vitit 2017, edhe ky edicion i Evropianit të koshit do të mbahet në 4 shtete, në Gjeorgji, në Tbilisi, në Gjermani, në Këln, në Itali, në Milano dhe në Republikën Çeke, në Pragë.

Ndërkohë finalja e “Eurobasket 2022” është e parashikuar të luhet më 18 shtator në Berlin. Nga viti 1935 deri në vitin 2017, Eurobasketi është luajtur çdo dy vjet, por tani e tutje, ai do të zhvillohet një herë në 4 vjet, në kuadër të ciklit të ri 4-vjeçar të FIBA-s. Për këtë arsye, edicioni i këtij viti është tashmë një ngjarje historike. Interesant është edhe fakti se janë gjithsej 34 lojtarë të NBA-së do të marrin pjesë në “Eurobasket 2022”. Me më tepër lojtarë, 3, do të përfaqësohet skuadra e Miluoki Baks, dhe ata janë gjeorgjiani Sandro Mamukelashvili dhe grekët Jani e Thanasi Adetokunbo. Ndërkohë dhjetë skuadra tjera të NBA-së kanë nga dy përfaqësueses në evenimentin e kontinentit evropian.

Në fakt, ky turne do të jetë një përzierje e lojtarëve prej të gjitha kampionateve në mbarë botën. Përfaqësimin më të madh do ta ketë Liga ACB e Spanjës me rreth 50 lojtarë. Ndërkohë, skuadrat me përfaqësimin më të madh të lojtarëve do të jenë Reali i Madridit, Armani Exchange Milano, Fenerbahçe e Cedevita, që do të kenë nga gjashtë basketbollistë secila.