Kukësi Partizani ishte ndeshja më e rëndësishme e javës së 20-të në Kategorinë Superiore. Të kuqtë triumfuan me rezultatin 2-1, por ajo që mori të gjithë vëmendjen në këtë sfidë ishte “Fair Play” i treguar nga skuadra e Partizanit. Murataj shënoi një gol, ndërsa një nga lojtarët e Kukësit ishte shtrirë i dëmtuar në fushën e lojës. Vjen menjëherë korigjimi nga ana e të kuqve, që hapin portën duke lejuar shënimin e një goli nga Limaj.
Një veprim që nuk ishte parë më përpara në Kategorinë Superiore dhe që ka sjellë shumë diskutime, edhe nga ana e drejtuesve të Kukësit, të cilëve nuk u ka pëlqyer një “dhuratë” e tillë. Për të sqaruar një situatë të tillë, ose më saktë për të folur për rolin e arbitrit, në një lidhje direkte me Rubrika Sportive në Radio Tirana ka qënë i pranishëm specialist i njohur i gjykimit, Bujar Pregja.
“Në radhë të parë duhet të sqarojmë se këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim të arbitrit. “Fair Play” nuk është i detyrueshëm të zbatohet me rregullore, bazohet te lojtarët. Edhe në rastin konkret, lojtarët duhet ta ndërpresin lojën. Lojtari që shënoi golin, nuk mund të penalizohet nga ana e arbitrit. Është në dorën e lojtarit në një rast të tillë, nëse duhet ndërprerë ndeshja. E kemi parë dhe në raste të tjera, që kur një lojtar dëmtohet, nuk e detyron arbitri lojtarin që të largojë topin jashtë fushe. Janë vetë lojtarët, që ndalin lojën”, ka deklaruar Pregja.