Dueli mes Denis Nurjës dhe kolumbianit Plasido Ramirez ka përfunduar në mënyrën më të keqe të mundshme. Në një moment të takimit, në raundin e katërt, Nurja ishte pranë “K.O” dhe gjithashtu kishte dëmtuar këmbën, Ramirez pabesisht e goditi me të majtën. Kjo mjaftoi që disa tifozë të futen në ring, duke shkaktuar kështu një kaos.
Kolumbiani u kthye në shënjestrën e tifozëve, të cilët krijuan një situatë të turpshme ku humb vetëm sporti i boksit në Shqipëri. Ndeshja është ndërprerë dhe ka fitimtar.
Vendimi përfundimtar rreth fatit të ndeshjes u mor disa minuta pas episodit të turpshëm. Ky duel do të konsiderohet si i pazhvilluar. Denis Nurja mban rekordin e tij ku është fitimtar në 12 ndeshje radhazi ndërsa Plasido Ramirez ruan të vetin ku ka 24 fitore dhe vetëm tri humbje.
Ditën e djeshme Nelson Hysa u shpall kampion në kategorinë WBC CISSB në boks për meshkuj. Në parkun olimpik “Feti Borova” shkodrani dominoi rivalin Viktar Çvarkou.
Raundi i parë ishte shumë i kujdesshëm nga të dy boksierët, në të dytin, Hysa krijoi epërsi, madje në fund të këtij raundi, 39-vjeçari lëshoi një breshëri të vërtetë grushtesh mbi bjellorusin.
Pas raundit të tretë, Çvarkou pësoi një dëmtim në krah dhe e kishte të pamundur vazhdimin e duelit. Tërheqja e boksierit solli fitoren e 12-të për Nelson Hysën, i cili mbrojti titullin kampion.