RTSH Sport Live

 “Futbolli total”, një analizë e statistikave të Superiores

  • 02/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
 “Futbolli total”, një analizë e statistikave të Superiores
Sulmues që mbrojnë, mbrojtës që sulmojnë dhe mesfushorë që godasin portën

Është folur shpesh për konceptin e “futbollit total”, por në ditët e sotme, loja më popullore në botë kërkon lojtarë të gjithanshëm, të përgatitur për të bërë gjëra që jo domosdoshmërisht i përkasin rolit ku luan. Pra, sulmues që dinë vetëm të shënojnë apo mbrojtës që mendojnë vetëm për mbrojtjen nuk mjaftojnë më, pasi për ekuilibrin e skuadrave duhen mbrojtës që prodhojnë gola dhe sulmues që arrijnë të ndihmojnë fazën e mbrojtjes. Duke u hedhur një sy statistikave të këtyre 10 javëve të Kategorisë Superiore, spikatin një numër lojtarësh që arrijnë të bëjnë më shumë në të dyja sektorët e fushës.

Sa u përket mbrojtësve qendrorë, avantazhi i Erjon Hoxhallarit të Tiranës ndaj kolegëve të tij të mbrojtësve qendrorë është aftësi për të realizuar gjuajtje të shkëlqyera nga goditjet standarde dhe kjo është arsyeja që e gjejmë atë në krye të kësaj renditjeje. Por interesant është fakti se edhe qendërmbrojtësit e Dinamos dhe Vllaznisë shpesh godasin portën, një shenjë kjo se skemat në goditje këndi dhe goditjeve të dënimit funksionojnë.

Ndërkaq, sa u përket mbrojtësve të krahut, situata është paksa e ndryshme, sepse në këtë aspekt ndikojnë shumë karakteristikat personale të aftësive sulmuese të lojtarëve. Megjithatë, vërehet se Kukësi ka një armë më shumë te mbrojtësit e krahut në lojën e tij sulmuese.

Lidhur me mesfushorët qendrorë, spikat prirja për të depërtuar më shumë në zonën e kundërshtarit pa top. Statistikat e topave të prekur në zonën e kundërshtarit çdo 90 minuta na ndihmojnë shumë për të kuptuar këtë aspekt shumë të rëndësishëm për shkak të paparashikueshmërisë së sulmit. E në këtë renditje ka edhe mesfushorë që gjuajnë shumë, por nuk hyjnë kurrë në zonë. Në këtë rast është shumë e qartë se karakteristikat personale dhe roli kanë një ndikim të madh.

Dhe, së fundit, duke e përmbysur konceptin origjinal, nëse mbrojtësit dhe mesfushorët duhet të sulmojnë, sulmuesit duhet gjithashtu të mbrojnë. Dhe në këtë aspekt, është interesante të shohim se cilët janë sulmuesit që rikuperojnë më shumë topa. Nga ana tjetër, kjo statistikë ndikon edhe në aftësinë e skuadrës për të bëtë presing dhe për rrjedhojë përdorimin e sulmuesve në rikuperimin e topit. Jo vetëm kaq, një sulmues që rikuperon shumë topa është një tregues i rëndësishëm se sa shumë bashkëpunon lojtari sulmues në çdo fazë të ndeshjes në lojën ekipore.