RTSH Sport Live

 “Goditet” sërish Premier Liga

  • 08/10/2021
  • |
  • Angli
 “Goditet” sërish Premier Liga
Futbollistët e Amerikës Jugore nuk lejohen të kthehen në Angli më herët nga kombëtaret e tyre

Brazili ashtu si edhe Argjentina ka konfirmuar se lojtarët e thirrur në kombëtare, të cilët luajnë në Premier League, nuk do të kthehen në Angli më herët, duke i dhënë kështu një goditje një mori klubeve të nivelit të lartë, të kampionatit anglez. Brazili ka nëntë lojtarë të kampionatit anglez në skuadrën e vet, si: Douglas Luiz, Ederson, Gabriel Jesus, Allison, Fabinho, Thiago Silva, Fred, Emerson e Raphina, të cilët do të luajnë ndeshjet kualifkuese për Kupën e Botës këtë muaj kundër Venezuelës(luajtur dhe fituar 3-1), Kolumbisë dhe Uruguajit.

Klubet e Premier Ligës shpresonin se yjet e tyre mund të tërhiqeshin më përpara nga ndeshjet e kombëtares, të këtyre dy javëve në mënyrë që të ktheheshin në kohë për rifillimin e sezonit. Por disa nga skuadrat e Amerikës së Jugut i luajnë kualifikueset e tyre të treta vetëm 24 orë para fillimit të Premier League më 16 tetor. Trajneri i Brazilit, Tite ka thënë se: 'Nuk ka asnjë mundësi që ata të kthehen më herët në Angli. Ata janë thirrur për të luajtur të tre ndeshjet”.

Ndërsa trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, tha: 'Ne nuk do të bëjmë të njëjtën gjë si herën e kaluar me lojtarët e Premier League. Para ndeshjes me Venezuelën thashë që ata erdhën për të luajtur të tre ndeshjet, por lojtarët morën një vendim dhe unë i mirëkuptova duke i lënë të lirë të largohen më herë për në skuadrat e tyre”.

Situata prek edhe lojtarët e Premier League që luajnë me Kolumbinë, Uruguajin, Ekuadorin dhe Paraguajin, të cilët pritet që të gjithë të ndjekin shembullin e Argjentinës dhe Brazilit. Megjithatë qeveria britanike ka lehtësuar masat anti-covid për këta lojtarë, të cilët kur të kthehen në Angli do të karantinohen në banesën e tyre vetëm 5 ditë. Ndërsa janë lejuar të udhëtojnë në vendet e listës së kuqe vetëm ata futollistë që janë plotësisht të vaksinuar.