RTSH Sport Live

“Kamarieri” bindi Ronaldon për Barcelonën

  • 15/10/2021
  • |
  • Futboll Bota
“Kamarieri” bindi Ronaldon për Barcelonën
Presidenti i Barcelonës, Gaspart rrëfen detajet e marrëveshjes me brazilianin

Edhe pse është tërhequr prej shumë vitesh nga futbolli i luajtur, Ronaldo vazhdon të mbetet temë kryesore diskutimesh në sportin më të ndjekur të planetit. Ta harrosh fenomenin do të ishte një krim dhe këtë e di mirë ish presidenti i Barcelonës, Joan Gaspart i cili rikthehet të flasë duke rëfyer një detaj interesant nga momenti i firmës së klubit blaugrana me brazilianin.

“Klubi i tij u pendua për transferimin. Kishte një klauzolë normale që një kontratë me një klub tjetër nuk do të ishte e vlefshme. Lojtari ishte në Brazil i grumbulluar me Kombëtaren. Duhej të firmosnim me klubin por jo me lojtarin.  Klauzola theksonte se nëse nuk firmosnim me lojtarin brenda një date të caktuar kontrata do të anulohej. Klubi i tij bëri gjithcka që unë të mos afrohesha me të.

Kishe dy bodyguardë jashtë ashensorit ku më i shkurtri ishte 2.05. As nuk tentova të dilja nga ashensori. U detyrova të sillesha si kamarier për të shkuar në dhomën e Ronaldos dhe aty Ronaldo e firmosi kontratën në krevat. Gjithsesi, fillimisht u habit dhe pyeti menaxherin se kush isha unë por pasi firmosi, e futa kontratën në xhaketë. Më pas takova delegatin e Brazilit dhe i bëra të ditur se do ta prezantoja si lojtar të Barcelonës”.    

Ronaldo u transferua nga PSV te Barcelona në vitin 1996 dhe pas një sezoni në radhët e katalanasve u zhvendos në Milano e më pas në Madrid.