RTSH Sport Live

“Kambana” angleze për Thomas Strakoshën

  • 17/05/2022
  • |
  • Futboll Bota
“Kambana” angleze për Thomas Strakoshën
 Lacio dorëzohet, pranon largimin e shqiptarit, oferta nga Premier Liga për gardianin kuqezi

Lacio është në kërkim të një portieri të ri për të zëvendësuar Thomas Strakoshën. E përditshmja italiane, “Il Messaggero”, ka bërë të ditur se portieri shqiptar nuk ka pranuar zgjatjen e kontratës dhe në verë do të largohet si futbollist i lirë. Për këtë aryse, klubi italian po synon transferimin e portierit Marko Karneseki, që është i huazuar nga Atalanta tek Kremonese këtë edicion. 21-vjeçari ka impresionuar drejtorin sportiv, Igli Tare, me paraqitjet e tij në Serinë B dhe kryeqyetasit janë të gatshëm të dërgojnë një ofertë për portierin italian.

Ndërkohë, në krahun tjetër, mediat britanike raportojnë se Strakosha ka shprehur dëshirën për të kaluar në verë tek kampionia e nivelit të dytë të futbollit anglez, që njihet si “Championship”, Fulhemi. Gardiani kuqezi la qenë titullar përgjatë shumicës së karrierës së tij në Serinë A, por javët e fundit është përfolur për një kalim tek skuadra që do të rikthehet sezonin e ardhshëm në Premier Ligë.

Por Fulhemi nuk është e vetmja skuadër e elitës së futbollit anglez që interesohet për 27-vjeçarin, pasi për të ka shprehur interes edhe Njukasëlli. Dhe, sikundër raporton “La Repubblica”, Strakosha është gati të zhvendoset në Premier Ligë dhe është gati të pranojë ofertën e Fulhamit, atje ku do të shkojë me parametra zero. Shqiptari ka luajtur 206 ndeshje për Lacion në të gjitha veprimtaritë, duke e mbajtur në 52 prej tyre të paprekur rrjetën e portës së tij.

Për këtë arsye, trajneri i Fulhemit, Marko Silva, e shikon gardianin e Kombëtares kuqezi si një nga shtyllat për të ngritur skuadrën që do t’i bëjë ballë Premier Ligës sezonin e ardhshëm.