RTSH Sport Live

“Katar 2022”, publikohen pamjet e stadiumeve

  • 28/06/2022
  • |
  • Futboll Bota
“Katar 2022”, publikohen pamjet e stadiumeve
Organizatorët kanë publikuar imazhet e brendshme dhe të jashtme të stadiumit Education City

Katari vazhdon përgatitjet për Botërorin e Futbollit që do të zhvillohet në nëntor-dhjetor 2022. Organizatorët e kësaj veprimtarie madhore kanë publikuar imazhet e brendshme dhe të jashtme të stadiumit Education City, i vendosur 7 km nga qendra e qytetit të Dohas, i cili u inaugurua zyrtarisht më 15 qershor 2020 gjatë një ngjarjeje virtuale për shkak të kufizimeve të Covid-19. Stadiumi me 40,000 vende ishte i treti, i ndërtuar nga fillimi, i cili do të presë ndeshje të Botërorit deri në fazën çerekfinale të turneut. Çdo gjë në këtë stadium është moderne, e menduar dhe e ndërtuar sipas projektit. Fusha brenda të gjitha parametrave të FIFA-s, ujitet me orar të caktuar në mënyrë që të mos thahet bari nga temperaturat e larta.

Sediljet e shikuesve janë të pajisura me ajër të kondicionuar dhe me një vend të caktuar për të vendosur ushqimin. Stadiumi është me çati lëvizëse, gjithashtu ajri i kondicionuar do të shpërndahet edhe nga sipër stadiumit me anë të një sistemi ftohës. Dhomat e zhveshjes së lojtarëve janë të pajisura me banjë me akull, dhomë me avull dhe xhakuzi. Për të gjithë tifozët që do të vijnë në këtë stadium do të jetë e lehtë, pasi hekurudha dhe tramvaji janë në dispozicion të tyre.

Edhe fusha stërvitore në Lusail, e cila do të përdoret gjatë Botërorit të Katarit është gati. Aty mund të stërviten skuadrat të cilat do të jenë të akomoduara pranë saj. Ajo është ndërtuar brenda të gjitha parametrave. I ngjan një ministadiumi dhe nuk ka asgjë më pak se stadiumet ku do të luhen ndeshjet, përsa i përket komoditetit për lojtarët dhe stafet e tyre drejtuese.

Organizatorët e botërorit kanë publikuar edhe pamjet e terrenit stërvitor ku do të stëvitet kombëtarja e Argjentinës gjatë qëndrimit në Katar. Gjithçka është menduar deri në detaj.