RTSH Sport Live

“Klasikja” mbyllet pa gola, Egnatia nuk fal, Kastrioti barazon me Kukësin

  • 13/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
“Klasikja” mbyllet pa gola, Egnatia nuk fal, Kastrioti barazon me Kukësin
Luhen 3 takimet e para të javës së 12-të, Teuta-Erzeni, të hënën (13:00), drejtpërdrejt në RTSH

Java e 12-të e Kategorisë Superiore ka nisur të dielën me 3 takimet e para dhe, në kryeqytet, në "Klasiken" e futbollit shqiptar, Tirana është ndarë me një barazim pa gola me Vllazninë,  rezultat që i jep mundësi ndjekëses më të afërt, Partizanit, afrohet me rivalen e kreut nëse merr një fitore të hënën me Bylisin në Ballsh. Ndërkaq, në barazim, por në shifrat 1-1, është mbyllur edhe takimi tjetër, i luajtur të dielën pasdreke, midis Kastriotit dhe Kukësit. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, por krutanët kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e 51-të, duke e ruajtur këtë epërsi deri në fund të kohës së rregullt.

Por në minutën e 4-t shtesë, është një autogol që i shpëton verilindorët nga humbje. Ndërkaq, në takimin e fundit që u zhvillua po të dielën pasdreke, Egnatia ka dëshmuar sërish se nuk është një rastësi, duke ruajtur vendin e saj në gjysmën e sipërme të renditjes falë një fitoreje 2-0 në shtëpinë e saj ndaj Laçit.

Edhe në këtë përballje, të luajtur në Rrogozhinë, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, por vendasit kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e 64-t, dhe, ndërsa kanë mbetur me 10 lojtarë në fund të kohës së rregullt, ia kanë dalë të gjejnë edhe gol të dytë në minutën e 8-të shtesë.

Dy takimet e fundit të kësaj jave luhen të hënën dhe, përveç përballjes së Ballshit midis Bylisit dhe Partizanit, Teuta pret në derbi Erzenin, në ndeshjen që do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.