RTSH Sport Live

 Kristina Anxhara tregon emocionet e Europianit

  • 25/05/2021
  • |
  • Të tjera
 Kristina Anxhara tregon emocionet e Europianit
Qitësja shqiptare ka arritur minimumin e mundshëm të pikëve të vajtjes në Olimpiadë

Kristina Anxhara në Kampionatin Europian të Qitjes në Osijek të Kroacisë ka arriti minimumin e mundshëm të pikëve për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Që do të thotë se nëse do të vijë një ftesë për qitjen shqiptare, atëherë i takon Anxharës, sepse nuk është në listën e sportistëve me normë kualifikimi. Nga Osijeku për RTSH Sport, Anxhara ka treguar dhe emocionet e saj.

“Personalisht për mua ka qënë një kampionat shumë i veçantë, sepse përveç rëndësisë së një kampionati të përmasave të tilla, emocioneve të shumëfishta të garës, ne kemi arritur të sigurojmë bazën material në momentet e fundit. Më është dashur që në javën e fundit të udhëtoj në Zagreb për të bërë stërvitje intensive, për tu përshtatur sadopak me bazën e re material. Pavarësisht aventurave, mendoj se kam arritur një rezultat të mirë”.

E duke qenë e bindur në pjesëmarrjen e saj në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Anxhara shpjegon dhe objektivin e saj

“Shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi im për të arritur sa më lartë. Shpresoj që gara e ardhëshme të jetë në lojërat olimpike ku besoj se do të arrij akoma më lartë, nëse do i referohemi faktit se arrita në këto standarte me shumë më pak stërvitje me materialet e reja”.

Ndërkohë në Europianin e Zagrebit, Henri Rrufa grumbulloi 531 pikë në qitje me pistoletë 10 metra ajër, kurse Agim Ramo 551 pikë, por pa arritur të shkojnë në finale.