RTSH Sport Live

“Makina e ferrit”, tani në muzeum

  • 21/02/2023
  • |
  • Formula 1
“Makina e ferrit”, tani në muzeum
Ekspozohet Pjesa e mbetur nga aksidenti i Romën Groszhonit në 2020-ën në Bahrein

Makina e dëmtuar nga zjarri e Romën Groszhënit, që sipas tij, i shpëtoi jetën, në atë aksident të frikshëm të Çmimit të Madh të Bahreinit në 2020-ën, do të jetë, për herë të parë, pjesë e Muzeut të Formulës 1. Ish-piloti i “Haas”-it ishte protagonist i një aksidenti spektakolar në xhiron e hapjes së garës së para 3 viteve, kur preku makinën “AlfaTauri” të Daniil Kvjatit dhe u ngul në panelet anësore në dalje të kthesës së 3-të. Makina e tij u nda më dysh për shkak të përplasjes së dhunshme dhe shpërtheu në flakë, por, në atë që ishte me të vërtetë një mrekulli, Groszhëni shpëtoi me dëmtime relativisht të lehta, edhe pse ngeci në makinë për 28 sekonda teksa ajo ishte në flakë.

Dhe pjesa e mbetur e makinës, që ka qenë e ruajtur prej 3 vitesh, do të ekspozohet në një ekspozitë të Formulës 1 në Madrid, si një pjesë e një instilacioni që do të ofrojë edhe pamje të patransmetuara më parë të aksidentit të tmerrshëm. Pjesa dërrmuese e bërthamës së makinës mbetet e padëmtuar, bashkë me rrethin mbi kokë, që njihet ndryshe si “halo”, që luajtur një rol vendimtar në faktin që piloti francez i mbijetoi aksidentit. “Nga këndvështrimi im, ishte një aksident i madh, por nuk i pata kuptuar përmasat apo sa i dhunshëm ishte duke e parë nga jashtë”, - ka thënë të hënën Groszhoni, duke folur për mediat.

“Vetëm kur i kërkova dikujt të më tregonte videon, e kuptova çfarë kishte ndodhur, - ka vijuar 36-vjeçari, duke zbuluar hollësi të tjera. - Bashkëshortja ime po e ndiqte garën me fëmijët dhe me tim atë dhe ata do ta mbajnë mend atë moment për gjithë jetën e tyre. Ata ishin thjesht spektatorë, duke pritur të dëgjonin, të merrnin vesh diçka mbi atë që kishte ndodhur. M’u desh të thyej pjesën që kemi mbi supe dhe arrita të çohem nga sedilja, por kuptova se këmba e majtë më kishte ngecur tek shasija.

E tërhoqa mesa kisha fuqi, por më mbeti këpuca aty. Sidoqoftë, isha i lirë dhe arrita të dal nga makina. Makina kishte 120 litra karburant dhe baterinë, që gjithashtu kishin marrë flakë, ndërsa Dr Jan Robertsi dhe Alani nga ambulanca, bashkë me një zjarrfikës, po mundoheshin të krijonin një hapësirë nga flakët, që të më ndihmonin të dilja. Besoj se kjo më mundësoi të shkioja se ku isha dhe si të dilja që aty.

Por bërthama e makinës padyshim që të ruan dhe brenda saj, unë nuk pata dëmtime e ajo ka mbetur siç ishte dhe besoj se kjo më shpëtoi jetën”, - ka përfunduar Romën Groszhon, duke iu referuar garës që uli siparin e karrierës së tij në Formula 1.