RTSH Sport Live

"MË TË MIRËT E VITIT" DHE "TOPI I ARTË" NË RTSH

  • 03/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
"MË TË MIRËT E VITIT" DHE "TOPI I ARTË" NË RTSH
Trofeu i Topit të Artë që do ti dorëzohet lojtarit më të mirë të vitit 2020, votuar nga trajnerët dhe kapitenët e Kategorisë Superiore

RTSH Sport ruan traditën dhe për vitin e dytë resht shpall Formacionin dhe Trajnerin e Vitit 2020. Sot, mbrëmja e “Më të Mirëve” transmetohet në RTSH 1 HD dhe RTSH Sport HD duke filluar nga ora 20.35.

Këtë radhë mbrëmja e çmimeve do të marë më shumë kuptim edhe me shpalljen e “Talentit të Vitit” dhe sidomos “Topit të Artë”. Transmetuesi publik ka gjetur mënyrën për të vlerësuar më të mirët nëpërmjet një mbrëmjeje “Gala” ku nuk do të mungojë humori dhe tifozët e vegjël që ngacmojnë protagonistët. Pjesë e transmetimit do të jenë edhe rëfimet e veçanta të fituesve, që tregojnë gjithë sakrificat dhe përpjekjet e tyre për të arritur ëndrrat në një vit të vështirë…

Edhe mënyra e përzgjedhjes këtë radhë është më gjithëpërfshirëse. RTSH Sport kontaktoi katër trajnerë që nuk ishin pjesë e aktivitetit për vitin 2020 për të dhënë emrat e tyre për formacionin dhe trajnerin e vitit dhe në bazë të votave është arritur tek fituesit. Po e njëjta proçedurë u zbatua edhe për “Talentin e Vitit”, ndërkohë që për çmimin “Topi i artë”, RTSH Sport kontaktoi 10 klubet e Kategorisë Superiore dhe trajnerët e kapitenët e ekipeve kanë përzgjedhur sipas tyre, Lojtarin më të mirë të vitit 2020.

Mbrëmjes do ti shtohet humori i “Ngop Media” si dhe fëmijët e vegjël që tentojnë të vendosin në vështirësi futbollistët e pranishëm në studio.

Ndonëse kjo duhet të ishte një prej prioriteteve të autoriteteve që drejtojnë futbollin në vendin tonë, sidomos në këto dy vitet e fundit kur Shqipëria kaloi dy trauma të vështira, kjo ceremoni tashmë është harruar prej tyre, qoftë edhe virtualisht, ashtu si FIFA e UEFA i zhvilluan ceremonitë e tyre këtë vit…