RTSH Sport Live

“Netët e Bardha”, topi i ri i Champions League

  • 14/12/2021
  • |
  • Futboll Bota
“Netët e Bardha”, topi i ri i Champions League
Futet në përdorim nga turi i 16-shes, reflekton qytetin mikpritës të finales, Shën Pjetërburgut

Një tjetër fazë, një tjetër top. 16 skuadra që kanë mbetur në lojë për veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës do të nisin në shkurt të vitit të ardhshëm betejën më të ethshme, atë me eliminim të drejtpërdrejtë, në rrugëtimin e tyre drejt finales së madhe të 28 majit, që do të mbahet në Rusi, në Shën Pjetërburg.

Dhe UEFA ka zbuluar, në bashkëpunim me partneren e saj zyrtare, kompaninë ndërkombëtare të veshjeve dhe pajimeve sportive, “adidas”, edhe topin e ri që do të përdoret në gjysmën e dytë të këtij sezoni.

Teksa finalja e këtij sezoni do të luhet në Shën Pjetërburg, edhe dizenjoja e topit të ri është frymëzuar nga “Netët e Bardha”, që janë shndërruar në një sinonim të qytetit gjatë muajve të verës. Siç dihet, nga fundi i majit deri në fillimin e korrikut, netët janë të mbushura me dritë në këtë qytet verior të Rusisë, dhe ato mp të shndritshmet, të ashtuquajturat “Netët e Bardha” zgjasin zakonisht nga 11 qershori, deri më 2 korrik.

Topi i Ligës së Kampioneve në vijim, që do të përdoret duke nisur nga ndeshjet e turit të 16-shes, që nisin në shkurt të vitit të ardhshëm e deri në finalen e fundmajit, përbëhet nga pjesë të lidhura në mënyrë termike dhe, sipas prodhuesit të tij, pritet të jetë “më i butë, më i shpejtë dhe i saktë”.

Duhet kujtuar këtu se në fillim të këtij viti, adidas dhe organizmi që qeveris futbollin kontinental bërë të ditur zgjatjen e bashkëpunimit midis tyre deri pas Kampionatit Evropian të 2024-ës. Ky bashkëpunim do të përfshijë edhe të gjithë veprimtaritë e futbollit të femrave të UEFA-s, dhe është në vazhdën e një partneriteti tashmë prej disa dhjetëvjeçarësh.