RTSH Sport Live

 “Oran 2022”, Shqipëria me 29 sportistë

  • 17/06/2022
  • |
  • Sporte të tjera
 “Oran 2022”, Shqipëria me 29 sportistë
Gresi Bajri dhe Alban Beqiri flamurmbajtësit kuqezi, të dielën ceremonia e dorëzimit

29 sportistë do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, ndërsa disiplinat në të cilat do të merret pjesë janë atletika, peshëngritja, gjimnastika, mundja, qitja, boksi, noti, taekuondoja, xhudo etj. Dhe në prani të presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, është bërë dhe firmosja e kontratave me secilin prej tyre. Gresi Bajri dhe Alban Beqiri do të jenë flamurmbajtësit e Shqipërisë. Por përse mungojnë lojërat kolektive si futbolli, basketbolli e volejbolli? Ylli gjithçka e lidh me buxhetet e hapura me vonesë

“Buxhetet duhet të vijnë në janar, nuk duhet të vijnë në prill, në maj apo qershor, sepse federatat nuk kanë mundësi të planifikojnë me ato buxhete që kanë nëse do dërgojnë ose jo sportistë. Duhet të dimë një gjë që Lojërat Mesdhetare janë pa kualifikim, janë lojërat që mund të vijë kushdo, por unë mendoj se nuk duhet të vijë çdo llojë ekipi që nuk ka ndonjë pretendim”.

Peshëngritja ka në listë Briken Caljen, Erkand Qerimajn, Evangjelia Veli, Mateus Caci dhe Albert Meta. Por në kushtet kur Calja u dëmtua në Kampionatin Europian a do të mund të zëvendësohet me tjetër sportist? I pari i olimpizmt shpjegon atë që ndodh me përfaqësimin e peshëngritjes në Oran si një sport që medaljen do ta ketë të padiskutueshme.

“Federata ka menduar me paratë e saj që një kampion si Briken Calja ne nuk mund ta hedhim poshte dhe të themi: ti nuk do vish. Ai do jetë pjesë e delegacionit atje, sepse nuk është se ka ndonjë dëmtim shumë të madh. Brikenin, Erkandin dhe gjithë këta kampionë i kemi si ujit e pakët, këta janë elita e sportit shqiptar”.

Ceremonia e dorëzimit të flamurit për delegacionin kuqezi do të zhvillohet të dielën në ora 10:00 në hotel “Rogner” dhe Bajrit e Beqirit do t’ia dorëzojë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.