RTSH Sport Live

 “Paqe” e mundimshme…

  • 14/09/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
 “Paqe” e mundimshme…
Shumë djersë, por vetëm nga një pikë për Vllazninë dhe Partizanin në Shkodër

Takimi i dytë i së enjtes, i vlefshëm për javën e 3-të të nivelit më të lartë të Kategorisë Superiore, ka qenë ai midis Vllaznisë dhe dhe Partizanit, me shkodranët që kishin marrë një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e para dhe me Partizanin që e kishte fituar takimin e vetëm të luajtur në këtë fillimsezon.

Ndeshja e zhvilluar në mbrëmje në Stadiumin “Loro Boriçi”, ka parë Partizanin të mbetet me 10 lojtarë që në minutën e 14-të, pasi Maget merr shpejt dy kartona të verdhë dhe del nga loja me karton të kuq, por t’i afrohet sidoqoftë golit 8 minuta më pas, kur goditja e Rrapajt ndalet nga shtylla horizontale, ndërsa Bintsuka nuk tregohet i saktë në vijim.

Me Partizanin më rrezikshëm, por me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të nisin më mirë për Vllazninë, që mundohet të përfitojë nga epërsia numerike. Megjithë rastet e ndërtuara, por më pas të shpërdoruara për shënim nga vendasit, Partizani do të mbrohet dhe madje do të rrezikojë në fund të vjedhë edhe fitoren, por pa rezultat.

Mbyllet kështu pa gola në “Loro Boriçi” përballja midis Vllaznisë dhe Partizanit, me të dyja skuadrat që ndajnë nga një pikë, që i lë në mesin e renditjes.