Partizani i shkoi afër përmbysjes, ndoshta edhe mund të kishte siguruar kohët shtesë me pak fat ose pa VAR, edhe pse Colella tregoi se për të ndjekja e titullit kampion është prioriteti absolut. Tekniku italian e kishte të qartë se rikuperimi i dy golave ndaj një skuadre që e nisi 3-1 ndeshjen e aq më tepër pretendente e trofembajtëse nuk ishte i thjeshtë. Verdikti final është relativ dhe nuk lidhet nëse fut titullarët në fushë apo jo.
E pra ajo që analizohet në këtë rast është loja dhe ajo që Partizani tregoi në 90 minutat e kthimit ishte një performancë që meriton duartrokitje, sidomos nëse llogarit se 6 nga lojtarët ishin të rinj dhe u futën me agonizmin e duhur në një ndeshje të komplikuar. Preka, Selmani, Bilali, Zuna apo edhe alternative si Mehsah e Cara, bashkë me Menish i dhanë përgjigje teknikut, aq sa të mos i dukej dramë eleminimi. Colella e donte Kupën, por mbi të gjithë dëshironte të provonte se e tija është një skuadër, edhe me rezerva.
Një konfirmim që italiani e mori, pavarësisht daljes. Të rinjtë treguan personalitet, karakter e kualitet, duke e bllokuar kundërshtarin, shumë pak i rrezikshëm në anët e Rexhepit, e duke e cuar ndeshjen në limitet e shtesës. Shtylla e Mensah mund të kishte ndryshuar historinë e takimit, pak rëndësi ka pastaj nëse goli i Carës në minutën e 87 ishte apo jo për tu anuluar nga VAR. E.S.