RTSH Sport Live

 “Portugalia e ka fatin në këmbët e saj”

  • 22/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
 “Portugalia e ka fatin në këmbët e saj”
Trajneri Santos dhe Pepe karikojnë skuadrën luzitane

Pepe nuk është në panik dhe bashkë me të e gjithë Portugalia. Kampionët e Europës rrezikojnë të bëjnë një figurë të shëmtuar këtë Europian nëse humbasin edhe duelin e fundit, atë me Francën, por mbrojtësi luzitan beson se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të thyer Gjelat. Në konferencën e shtypit, ish-mbrojtësi i Realit të Madridit theksoi se grupi e ka analizuar humbjen me Gjermaninë, ndërsa trajneri Fernando Santos shtoi se ajo që zbriti në fushën e lojës në Munchen Arena nuk ishte skuadra e tij.

“Kur pëson 4 gola diçka nuk shkon. Të gjitha skuadrat punojnë shumë për të sulmuar dhe mbrojtur mirë por ne duhet të përmirësohemi shumë në aspektin e intensitetit dhe vetëm në këtë mënyrë mund të fitojmë kundër Francës”, nënvizoi Santos, ndërsa Pepe shtoi: “Kualifikimi varet vetëm nga ne, e dimë që do të jetë shumë e vështirë por do të bëjmë maksimumin për të arritur objektivin. Nga 9 pikë mund të marrim 6 dhe kjo është mundësia më e mirë për të harruar atë disfatë”.

Ndaj Mbappe dhe shokëve të tij, Portugalia nuk e ka luksin e llogarive pasi një vend i tretë i mundshëm mund ta përplasë me një kundërshtar të fortë në fazën tjetër por as kjo nuk është në dorën e luzitanëve pasi duhet të bëjnë llogaritë edhe me sfidën Gjermani-Hungari. Në fund të konferencës, Santos kërkoi të ritheksonte te ajo që duhet të bëjë skuadra e tij në fushën e lojës, pa e mbajtur njërin vesh nga Gjermania. “Kundër Francës duhet të jemi të fortë në çdo aspekt dhe minutë të lojës, të vrapojmë dhe luftojmë më shumë”, shtoi në fund trajneri kampion Europe.