Mediat serbe nuk e kanë pritur aspak mirë karikaturën e shfaqur sot nga FIFA, ku shihet futbollisti shqiptar nga Kosova, Granit Xhaka, “duke përqafuar”, apo më saktësisht duke ia vendosur dorën në qafë kapitenit të Serbisë, Dushan Tadiç. Siç ndodh rëndom, media serbe, “Kurir”, e ka konsideruar këtë si një provokim ose një gafë të organizmit që qeveris futbollin botëror duke shfaqur urrejtje ndaj përfaqësuesit zviceran, i cili kishte festuar duke e formuar me duar shqiponjën dykrenore kur kishte shënuar pikërisht ndaj Serbisë në Botërorin e Rusisë.
“Provokim apo gafë e madhe? FIFA publikon një karikaturë në të cilën provokatori shqiptar e përqafon kapitenin Tadiç”, - është titulli i medias serbe. “Po ta kemi parasysh faktin se Xhaka, i cili është me kombësi shqiptare, dhe është i njohur për publikun serb për provokime në fushë dhe që i feston golat duke shfaqur simbolet e “shqiponjës me dy krerë”, mund ta pyesim veten se çfarë mesazhi është ky që jepet në karikaturë!”, shkruan më tej “Kurir”.
Xhaka është kapiteni i përfaqësueses së Zvicrës, me të cilën do të përballet kundër Serbisë në Botërorin e Katarit, që do të nisë në muajin nëntor të këtij viti. Xhaka dhe Shaqiri i kishin shënuar golat fitimtarë të Zvicrës ndaj Serbisë në Botërorin 2018 dhe me këtë rast, të dy kishin festuar duke e formuar simbolin e shqiptarëve, shqiponjën dykrenare.