RTSH Sport Live

“Ringjallet” Aubameyang, Arsenal mund me lehtësi Newcastle

  • 18/01/2021
  • |
  • Angli
“Ringjallet” Aubameyang, Arsenal mund me lehtësi Newcastle
Premier League, Emirates Stadium - Arsenal 3 (Aubameyang 50', 77', Saka 60') Newcastle United 0

U desh pjesa e dytë, që Arsenali të konkretizonte një ndeshje të dominuar përballë Newcastle. Një “shpërblim” 3-0 për lojën e bërë në këtë sfidë nga të besuarit e trajnerit Arteta.

Pierre-Emerick Aubameyang është shfaqur i ringjallur, duke shënuar dy herë në portën e skuadrës kundërshtare, shoqëruar dhe nga goli i Bukayo Saka, duke kompletuar kështu një sukses, që për minuta të tëra dukej se mund të mos vinte, ashtu si në ndeshjen e fundit.

Barazimi pa gola në javën e kaluar përballë Crystal Palace kishte lënë shenjë, por jo deri aty sa të përsëritej i njëjti rezultat. Skuadra u shfaq më e motivuar, duke luajtur një pjesë të dytë me shumë frymëzim dhe duke marrë si dhuratë tri pikët.

Në fakt, mund të kishte shkuar akoma më keq për Newcastle, që lejoi 20 gjuajtje, gjashtë në shenjë, ndërsa i la kundërshtarit 67% të qarkullimit të topit.

Topçinjtë, edhe pas kësaj jave, tregojnë se po përjetojnë një formë të mirë, ndërsa Magpies duhet të bëjnë llogaritë me zonën e rënies.