RTSH Sport Live

“Roland Garros”, Xhokoviç rrezikon përjashtimin: Kosova zemra e Serbisë!

  • 30/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
“Roland Garros”, Xhokoviç rrezikon përjashtimin: Kosova zemra e Serbisë!
Mesazhi i shkruar nga serbi në kamerat e fushës, i pasqyruar në monitorin gjigand të turneut

Mesazhi që Novak Xhokoviç shkroi në një nga kamerat, pas ndeshjes kundër Aleksandar Kovacevic në Roland Garros, nuk ka kaluar pa u vënë re nga të gjithë. Madje për këtë tenisti serb rrezikon të përjashtohet nga turneu parizien. “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën” – shkroi ai në gjuhën serbokroate. Fraza i referohej incidenteve që po ndodhin në Kosovë, në komunën e Zveçanit, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup serbësh të cilët po përpiqeshin të pengonin hyrjen kryetarit të zgjedhur në ndërtesën e bashkisë. Nga përleshjet mes forcave të NATO-s dhe demonstruesve serbë janë plagosur rreth 50 persona. “Kjo çështje është shumë e ndjeshme. Si serb, gjithçka që po ndodh në Kosovë më dhemb shumë”, ka deklaruar Xhokoviç.

“Kjo është më e pakta që mund të bëj. Ndjej përgjegjësinë si person publik, pavarësisht fushës së cilës i përkas, të tregoj mbështetjen time. Sidomos si bir i një burri të lindur në Kosovë. Unë duhet të jap mbështetjen time për ta dhe për Serbinë”, përfundoi ai. Por kjo deklaratë e tenistit serb nuk është pritur mirë nga organizatorët e turneut parizien. Sipas rregullores është e ndaluar që sportistët të përdorin deklarata politike gjatë turneut. Madje në një nga pikat e saj shkruhet se sportisti edhe mund të përjashtohet nga veprimtaria. Por Xhokoviç bëri të qartë se nuk është penduar për atë që ka bërë.

“Nuk më kanë thënë akoma”, tha ai kur u pyet nëse organizatorët e Roland Garros e kishin qortuar. "Dhe shpresoj që të mbetet kështu," uroi ai. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Por edhe nëse më ndëshkojnë, nuk do të përmbahem, do ta bëja përsëri”, ka thënë ai.