RTSH Sport Live

“Tirana Cross Country” argëtim për fëmijët

  • 25/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
“Tirana Cross Country” argëtim për fëmijët
Nxënësit e shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit provojnë aftësitë e tyre në Mountain Bike

“Tirana Cross Country” e ka zgjuar ndryshe kryeqytetin paraditen e së shtunës. Fëmijët e shkollave 9-vjeçare, djem e vajza, kanë provuar aftësitë e tyre në garën me biçikleta në disiplinën e Mountainbike. Gara ka nisur në mënyrën demonstrative nga Bashkia e Tiranës për të kaluar të gjithë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e për të vijuar më pas tek Kodrat e Liqenit pranë Kishës së Shën Prokopit. Përpara startit zyrtar të garës, të gjithë fëmijët e shkollave 9-vjeçare të Tiranës janë përshëndetur nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ministrja e Rinisë dhe Fëmijëve, nënkryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Andi Seferi, dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gerti Shima. Madje fëmijët e shkollave 9-vjeçare janë përshëndetur dhe nga një mjeshtre e volejbollit kombëtar si Alketa Doçi. Për Anxhakun është shumë e rëndësishme që Bashkia e Tiranës të jetë partnere në Turin e Shqipërisë.

“Për vitin 2023 është Turi i Shqipërisë më i rëndësishmi me 20 ekipe të huaja dhe si partner që e kemi Bashkinë e Tiranës mendoj se duhet të na japi një mbështetje. Siç e organizuam sot kaq të bukur më 22 maj ne marrim përsipër që në sheshin e Bashkisë ta bëjmë dhe aktivitetin e startit të Turit të Shqipërisë", ka thënë i pari i çiklizmit shqiptar.

Mountainbike dhe Çiklokrosi do të jenë disiplinat që së shpejti Federata Shqiptare e dyrrotakëve do t’i zhvillojë dhe do t’i japi një tjetër përparësi.

"E rëndësishme është që u hap rruga dhe u hap shtegu këtu tek Kodrat e Liqenit, që është një vend perëndimor për të zhvilluar aktivitete çiklistike", thotë Anxhaku.

Edhe për ministren e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi, çdo lloj aktiviteti sportiv është shumë i rëndësishëm.

"Kënaqësia e madhe është që kemi shumë nxënës nga klasat e shtata dhe të teta, ndërsa një pjesë e madhe e shkollave të kryeqytetit na janë bashkuar dhe kemi një balancë shumë të mirë mes vajzave dhe djemve", thekson ministrja Muzhaqi.

Madje, sipas saj, “Tirana Cross Country” është një mesazh për të rinjtë për të masivizuar sportin.

"Në një kohë që teknologjia merr një kohë të rëndësishme të fëmijëve duhet që ne patjetër t'i tregojmë që sporti është një pjesë e rëndësishme dhe duhet të jetë pjesë e rëndësishme e jetës së tyre", deklaron Muzhaqi.

Tirana kryeqyteti Europian i Sportit për vitin 2023 do të ketë një sërë aktivitetesh jo vetëm këtë me biçikleta

"Ka dhe shumë aktivitete të tjera që kanë nisur përpara. Por ky aktivitet i sotëm i shtohet gjerdanit të aktiviteteve të Tiranës që e bërë në këtë ditë sot, kjo dhe falë Federatës Shqiptare të Çiklizmit, që bëri të mundur organizimin, në këto Kodra të Liqenit i jep madhështi këtij aktiviteti", thotë Seferi.

Por sa i rëndësishëm është sporti për Bashkinë e Tiranës?

“Është shumë i rëndësishëm. Mundohemi ta promovojmë. Madje që infrastruktura rrugore përshtatet për aktivitete të tilla dhe me korsitë e biçikletave atëherë teksa në çdo investim të ri mbahet në konsideratë mbetet gjithnjë prioritet, ndërsa sporti është shumë i rëndësishëm për Bashkinë Tiranë", ka përfunduar nënkryetari Andi Seferi.   

E diela do të jetë për kategorinë elitare në “Tirana Cross Country”, që do të zhvillohet përsëri në Kodrat e Liqenit.