RTSH Sport Live

“Tokio 2020”, mbërrin edhe Luiza Gega

  • 20/07/2021
  • |
  • Tokio 2020
“Tokio 2020”, mbërrin edhe Luiza Gega
I janë bashkuar grupit presidenti Ylli e sekretari Bello, si dhe qitësja Delilaj

Tanimë gjithçka gati për delegacionin shqiptar, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Pikërisht të martën në mëngjes është nisur drejt kryeqytetit japonez flamurmbajtësja Luiza Gega, e cila më pas më 1 gusht do të konkurrojë në 3000 metra me pengesa. Së bashku me të, po drejt Tokios, ka udhëtuar trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, si dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufo.

Konkurrentia e kësaj disipline sportive në Lojërat Olimpike, Manuela Delilaj, të paktën edhe sipas informacionit që ka dhënë zyra e shtypit në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, do të vijë direkt nga Zyrihu në Tokio, sepse në Zvicër, ku dhe në fakt jeton dhe punon, ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë eveniment. Delilaj do të konkurrojë në pistoletë 10 metra ajër, si dhe pistoletë sportive 25 metra. Por ndërkohë në mesditë, më saktë në ora 14:25, kanë udhëtuar drejt Tokios presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe sekretari i përgjithshëm Stavri Bello, të cilët do të marrin pjesë dhe në Asamblenë e 138-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Një sesion i cili do të zhvillohet të enjten duke nisur nga ora 02:00 deri në ora 11:00 sipas orës së Shqipërisë, ndërsa me orën lokale nga ora 09:00 deri 18:00. Dhe ai që nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjesë së Lojërave Olimpike “Tokio 2020” është Izmir Smajlaj, sepse do të niset nga Tirana më 23 korrik, ndërsa gara e tij është më 31 gusht në kërcim së gjati. Në të njëjtën kohë, sportistët e mbërritur në fshatin olimpik kanë nisur dhe përgatitjet. E njëri prej tyre është edhe xhudisti Indrid Çullhaj, që konkurron më 25 korrik.

Duke nisur nga kjo e martë në mëngjes, gjithnjë sipas informacionit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Çullhaj së bashku me trajnerin e tij ka nisur stërvitjen në kushtet strikte për shkak të Covid-19. Madje stërvitjet janë me orar dhe me numër të kufizuar. Përtej 58 rasteve pozitiv me Covid-19 në fshatin olimpik, kuqezinjtë deklarojnë se nuk kanë asnjë problem dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa të gjithë kanë bërë tamponet rregullisht, si dhe janë vaksinuar me dy doza Pfeizer Biontek.