RTSH Sport Live

“TOKIO 2020”, pa spektatorë të huaj

  • 09/03/2021
  • |
  • Tokio 2020
“TOKIO 2020”, pa spektatorë të huaj
Merret vendimi, Lojërat Olimpike në Japoni, vetëm me sportdashës vendas

Lojërat Olimpike të Tokios do të zhvillohen pa spektatorë të huaj, për shkak të shqetësimeve të shkaktuara nga epidemia globale e “Covid-19”. Agjencia vendase e lajmeve “Kjodo” citon burime zyrtare që pohojnë se qeveria ka ardhur në përfundimin se mikpritja e spektatorëve nga jashtë Japonisë nuk do të jetë e mundur, për shkak të shqetësimit të publikut vendas për virusin korona dhe zbulimin e varianteve të reja dhe më ngjitëse në shumë vende.

Po kështu, agjencia japoneze e lajmeve ka bërë të ditur se edhe ceremonia e hapjes do të zhvillohet pa spektatorë. “Komiteti Organizator ka vendosur që është thelbësore që ta organizojë ceremoninë e hapjes në prefekturën verilindore të Fukushimës me dyer të mbyllura, duke lejuar  vetëm pjesëmarrësit, pra, sportistët, dhe të ftuarit, me qëllim shmangien e turmave të mëdha të njerëzve në këtë kohë epidemie”, - raporton “Kjodo”, duke cituar burime zyrtare.

Ndonëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), kishte deklaruar se vendimi për spektatorët e huaj do të merrej në fund të marsit, ky vendim është marrë tanimë. Në fakt, shumica e japanezëve nuk i duan vizitorët e huaj të pranishëm në këto Lojëra Olimpike, duke iu trembur asaj se një fluks i madh vizitorësh  mund të nxitë rritjen e infektimeve me “Covid-19” në vend. Një anketë e gazetës vendase “Jomiuri” nxorri në pah se 77 % e të pyeturve ishin kundër lejimit të spektatorëve të huaj në Olimpiadë dhe vetëm 18% pro.