RTSH Sport Live

“Vlora Vrapon” dominohet nga Luiza Gega

  • 08/05/2023
  • |
  • Sporte të tjera
“Vlora Vrapon” dominohet nga Luiza Gega
Synohet kthimi në aktivitet të përvitshëm i Maratonës në qytetin bregdetar

400 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe vende të Europës kanë qenë pjesëmarrës NË Maratonën e Vlorës me mbishkrimin “Vlora Vrapon”. Një aktivitet që zhvillohet nga Bashkia Vlorë dhe Klubi shumësportësh Flamurtari. Ndaj nuk ka munguar në këtë aktivitet, që zhvillohet për të tretin vit radhazi, përshëndetja e Kryetarit të Bashkisë, Dritan Leli.

"Vlora është një vend i shëndetshëm, i cili ia vlen të vizitohet. Ia vlen të kalosh një fundjavë dhe të pushosh. Ia vlen të qëndrosh dhe është një qytet i së ardhmes", thotë kryebashkiaku Leli.

Për Kampionen e Europës në 3000 metra me pengesa, Luiza Gegën, që ishte dhe fituese e kësaj Maratone, pjesëmarrja në Vlorë është gjithmonë një emocion i veçantë.

"Jam vërtetë shumë e lumtur që shikoj jo vetëm sportistë, por edhe dashamirës të sportit, të cilët kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria. Në fakt shoh dhe në vendet e tjera të Botës, apo vende të zhvilluar, që ku ka sport ka dhe zhvillim. Dhe për këtë jam shumë e lumtur që edhe Vlora po futet drejt këtij rrugëtimi", theksoi Luiza Gega.

Kreu i klubit shumësportësh Flamurtari, Klevis Kaso, tregoi se kjo Maratonë kërkohet të kthehet në traditë.

"Është inicuar si një maratonë mes shkollave dhe klubit shumësportësh Flamurtari, por nga që krijoi një impakt shumë të madh në qytet, atëherë të gjithë e përqafuan si një aktivitet sportiv përpara sezonit turistik. Ndaj menduam ta bënim kaq të madhe sa është sivjet me këtë pjesëmarrje nga e gjithë Europa", përfundoi Kaso.