RTSH Sport Live

Volejboll/Kupa e Shqipërisë njeh finalistët edhe tek meshkujt

  • 10/03/2021
  • |
  • Të tjera
 Volejboll/Kupa e Shqipërisë njeh finalistët edhe tek meshkujt
Partizani triumfon në 3 sete ndaj Vllaznisë, Erzeni mund në 4 sete Tiranën

Pas femrave të martën, janë luajtur të mërkurën pasdite dhe në mbrëmje edhe dy duelet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, duke njohur edhe dy skuadrat që do të diskutojnë të dielën finalen për trofeun e dytë të rrjetës shqiptare.

Në duelin e parë, të luajtur në Sallën nr. 2 të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, Partizani i drejtuar nga trajneri Ylli Tomori e ka mbyllur në 3 sete përballjen me Vllazninë. 25-21 është mbyllur seti i parë në favor të ekipit kryeqytetas, që e ka mbizotëruar edhe setin e dytë, duke e marrë atë 25-16.

Skuadra shkodrane është zgjuar vetëm në setin e 3-të, duke luftuar pikë për pikë, por, në fund është Partizani që e ka marrë edhe këtë set me pikët shtesë, 26-24 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 3-0.

Skuadra e trajnerit Tomori do të gjejë në finalen e së dielës rivalen e sezoneve të fundit Erzenin, që ka patur nevojë për 4 sete për të mposhtur Tiranën në Durrës. Shijakasit e trajnerit Ben Sako i marrin dy setet e para, 25-18 dhe 25-23 dhe, ndonëse Tirana e fiton të 3-tin 25-23, vijojnë të mbyllin gjithçka, duke e fituar setin e 4-të 25-23 dhe gjithë takimin 3-1.