RTSH Sport Live

 “VR46”, skuadra e Rosit drejt konsolidimit

  • 31/10/2021
  • |
  • Moto GP
 “VR46”, skuadra e Rosit drejt konsolidimit
Shefi i skuadrës, Pablo Nieto, flet për pilotët dhe synimet në 2022-shin

Ka ulur siparin e një karriere të lavdishme, por po bëhet gati të kalojë në një fazë tjetër, që sidoqoftë ka të bëjë sërish me botën e Moto GP-së. Valentino Rosi do të vijë me kohë të plotë me skuadrën e tij, “VR46” në Moto GP duke nisur nga viti 2022 dhe motorët e tij do të furnizohen nga “Ducati”, ndërsa pilotët janë vëllai i tij, Luka Marini, dhe Marko Bezeki. Por ecuria e skuadrës është ndërlikuar nga paqartësitë sa i përket sponsorit kryesor, teksa në prill u mësua se ai do të ishte gjiganti saudito-amerikan i naftë, “Aramco”.

Por kjo e fundit e ka mohuar në dy deklarata një gjë të tillë. Megjithatë, shefi i skuadrës “VR46”, Pablo Nieto, tha se gjërat ishin në rrugën e duhur, ndonëse “po ecnin shumë, shumë ngadalë”. Skuadra e “VR46”-s nuk ka bërë ende asnjë njoftim zyrtar të nënshkrimit me pilotin e Moto 2-shit, Bezekin, dhe  nuk e bëri as javën e shkuar, për të mos tërhequr vëmendjen nga gara e fundit e Valentino Rosit në Itali.

“Ne jemi të lumtur, sepse po kurorëzojmë projektin tonë që e nisëm praktikisht nga zero”, -  tha Nieto, duke vijuar: “Kemi nisur një projekt me të vërtetë të këndshëm. Siç e dinë të gjithë, ne tanimë i dimë kush do të jenë pilotët tanë, por ngaqë ajo ishte fundjava e Valentinos, nuk dëshironim të thonim asgjë për pilotët tanë në 2022-shin”.

“Por besoj se të gjithë e dinë se kush janë pilotët tanë në Moto GP dhe Moto 2. Ne duhet të mësojmë të përmirësohemi, sepse kjo është një sfidë e re për ne. Por mendoj se kemi një mbështetje të mirë nga “Dukati”, prandaj kemi ardhur këtu për të bërë gjëra të mira”, -shefi i skuadrës “VR46”, Pablo Nieto.