RTSH Sport Live

90 minuta ndaj Bayern, vlerësimi i Asllanit nga mediet italiane

  • 02/11/2022
  • |
  • UEFA Champions League
90 minuta ndaj Bayern, vlerësimi i Asllanit nga mediet italiane
“Corriere dello Sport” i jep notën 6, mesfushori flet pas ndeshjes: Kishim dëshirë të fitonim

Kristjan Asllani zhvilloi 90 minutat e para me fanellën e Interit dhe këtë e bëri në një ndeshje prestigjoze ndaj Bayern Munich. Ndeshja zhvilluar në “Allianz Arena” nuk kishte asnjë rëndësi për dy skuadrat, që e kishin arritur kualifikimin në grupet e Champions League. Trajneri i Interit. Simone Inzaghi, i besoi çelësat e mesfushës talentit shqiptar që, për hir të së vërtetës, zhvilloi një paraqitje pozitive, pavarësisht se mediet italiane nuk janë treguar zemërgjërë në vlerësimin për të. Po të shohësh vetëm “Corriere dello Sport” i jep notën 6. Ndërkohë që gazeta tjetër “Corriere della Sera” shkruan: “I ngurt, por ka cilësi: duhet vetëm durim”.

Në minutën e 48-të, mesfushori shqiptar, u bë protagonist me një asist mjaft të bukur të dhënë për Açerbin, që gjeti rrugën e rrjetës, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Në sfidën ndaj Bayern, Asllani fitoi 4 nga 6 duelet në total. Ndërkohë në fund të ndeshjes Kristjan Asllani do të shprehej.

“Kishim dëshirë të fitonim këtë ndeshje, e dinim forcën e Bayern Munich. Erdhëm këtu për të bërë lojën tonë. Nuk arritëm të shënonim, gjë që do ta bënte më interesante takimin, por jemi të kënaqur me atë se cfarë prodhuam. Nga nesër i drejtohemi Juventusit, e dimë që nuk mund të humbasim më pikë në kampionat”