RTSH Sport Live

Abakarov dhe Dudaev, krenaria e mundjes shqiptare

  • 29/06/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Abakarov dhe Dudaev, krenaria e mundjes shqiptare
Një medalje ari dhe një bronzi në Lojërat Mesdhetare, shtohen synimet për më tej

Një medalje ari dhe një medalje bronzi. E kjo ndodh me mundjen në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, teksa Zelimkan Abakarov në peshën 65 kilogram dhe Islam Dudaev në peshën 74 kilogram kanë nderuar Shqipërinë. Si Abakarov, ashtu dhe Dudaev, në mënyrë ekskluzive për Radio Televizionin Shqiptar, nga Orani kanë treguar emocionet e tyre, edhe pse e kanë shumë më të lehtë të flasin me gjuhën e tapetit se sa të shprehen për mediet.

Zelimkan Abakarov: “Jam shumë i kënaqur që i kam dhënë Shqipërisë në këto Lojëra Mesdhetare këtë medalje të artë. Nuk ishte e lehtë përballë kundërshtarësh të vështirë. Megjithatë përgatitja e lartë, përkushtimi për ngjyrat e flamurit kuqezi, më bën që gjithçka të ishte e lehtë në tapet. Falënderoj të gjithë për mbështetjen”.

Islam Dudaev: “Do të duhet të them që jam i kënaqur me medaljen e brozntë, ndonëse për pretendimet që kisha dhe pritshmëritë që ishin mund dhe duhet të kisha marrë më shumë. Falënderoj në mënyrë të veçantë presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahid Prizenin, presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli dhe të gjithë delegacionin për suportin që na dhanë”.

Por tanimë si Abakarov, ashtu dhe Dudaev kanë të tjera aktivitete përpara. Fillimisht 9-18 gusht në Konia Lojërat e Solidaritetit Islamik dhe në mesin e shtatorit Botërori në Serbi. Ja dhe objektivat e Abakarovit e Dudaev

Zelimkan Abakarov: “Për mua të paktën nuk ka kohë pushimi. Që nga ky moment ka nisur përgatitja për aktivitetet e radhës ndërkombëtare, kuptohet për t’i dhënë të tjera medalje Shqipërisë. Sidomos në Kampionatin Botëror, që është shumë i rëndësishëm, sepse të jep dhe mundësi kualifikimi për në Paris 2024. Shpresoj në më të mirën”

Islam Dudaev: “Mora medalje bronzi në Hungari, mora medalje bronzi në Oran. Tani është koha për t’i dhënë të artën Shqipërisë në të dy aktivitetet e radhës. Nuk është premtin, por objektiv madhor”.

Medaljen për Abakarov e ka dorëzuar ish-sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, i cili është në rolin e Presidentit të Komitetit Koordinativ të Lojërave Mesdhetare në Oran. Pa harruar që është Presidenti i Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.