RTSH Sport Live

AEL Limasol-Vllaznia, ndryshon orari

  • 20/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
AEL Limasol-Vllaznia, ndryshon orari
Trajneri Kerkez: Kujdes, është një kundërshtar i vështirë

Vllaznia do të zbresë në fushë në orën 19:00 dhe jo në 16:30 si ishte parashikuar. Vendimi është marrë nga UEFA për shkak të temperaturave të larta në Qipro ku skuadra shqiptare do të sfidojë AEL-in e Limassolit në një duel që gjithsesi nuk do të vendosë përfunimisht për fatin e skuadrës që do të kualifikohet në raundin e tretë. Me një kapacitet rreth 13 mijë vende, stadiumi “Tsirion” ka hapur dyert për tifozët ndërsa klubi bën me dije se biletat kanë dalë në shitje online për të respektuar masat anti-covid.

Arbitër i ndeshjes do të jetë kryesori Mads-Kristoffer Kristoffersen, i cili ka vendsur drejtësi dy vite më parë në Sofje ku Kosova triumfoi 3-2 në eleminatoret e Euro 2020. Për skuadrën e Tomas Brdaric rikthehet në mesfushë Ardit Krymi ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për të zbritur në fushën e lojës. Trajneri serb i skuadrës qipriote, Dušan Kerkez është shprehur për mediat vendase se do të shpresonte që në raundin e dytë të peshkonte Shirokin pasi është një skuadër që e njeh pasi është aktivizuar edhe vetë më parë si lojtar tek ekipi boshnjak.

“Vllaznia është një kundërshtar i vështirë, ata luajnë në shtëpi përpara 10,000 tifozëve dhe sigurisht që do të jetë një duel me një shkallë shumë të lartë vështirësie. Do të thoja që nuk ka favorit të qartë në përballjen me skuadrën shkodrane”, thekson Kerkez.