Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ishte i ftuari special në emisionin e përditshëm të mëngjesit në RTSH Sport, “Sot në Botëror”, në moderimin e gazetareve Sabina Mete dhe Pejana Elezi. Numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës në një lidhje “Skype”, ka zbuluar skuadrën që admiron në Katar, planet për një stadium të ri, por dhe objektivat për përfaqësuesen e Kosovës të cilën e shikon të kualifikuar në Europian.
Si po përjetohet Botërori në Kosovë dhe me kë jeni tifoz?
Kjo periudhë si të thuash është një pushim, jo vetëm nga futbolli. Shumica e njerëzve, në çdo ambjent, si temë të sotme kanë futbollin. Nëse në Shqipëri shumica janë me Italinë, në Kosovë janë me Gjermaninë, për vetë faktin se jemi më afër me Gjermaninë apo me Zvicrën. Realisht simpatia më e madhe është mes këtyre dy skuadrave, pavarësisht se futbollin më kreativ e bëjnë ekipet e Amerikës Latine siç janë Brazili apo Argjentina. Por siç e thashë, tifozët në Kosovë, dhe unë bashkë me ta, jemi mes këtyre ekipeve europiane që thashë më parë, mes Gjermanisë dhe Zvicrës”.
Kishte shumë polemika përsa i përket organizimit në Katar, ndërsa ka pesë ditë që flitet për futboll…
“Në fakt është bërë, por karakteristikë e këtij kampionati është sepse për ne në Europë për herë të parë bëhet në dimër, apo në fazën e fundvitit. Gjithmonë jemi mësuar ta shikojmë në mes të verës dhe kjo ndoshta ka bërë ndryshimin dhe Katari si vend i vogël, në fakt si vend shumë i vogël, duke patur dyshimet që nuk do të bëhet apo nuk do të organizohet mirë. Por ja që është organizuar shumë mirë, me stadiume fantastike. Ajo pjesa më e rëndësishme për skuadrat, hotelet dhe stadiumet, gjithçka është perfekt. Stadiumet janë ndërtuar për herë të parë, enkas për këtë kampionat”.
Zoti Ademi, kur mund të shikojmë një finale europiane të luhet në Kosovë. Në Shqipëri e kishim të paimagjinueshme, por ja që ndodhi. Kur do e kemi fatin dhe në Kosovë?
“Në fakt jemi krenarë që ka ndodhur në Shqipëri, sepse jemi një komb. Kjo ka ndodhur thjeshtë nga ajo pjesa që jemi shumë me fat që kemi një njeri në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, që është Armand Duka, presidenti i FSHF-së. Normalisht që ka të bëjë me ardhjen e asaj ndeshja, por edhe stadiumi që është bërë një mrekulli, është në mesin e atyre stadiumeve më interesantë në Botë, jo vetëm në Ballkan dhe Europë. Është bërë një stadium jashtëzakonisht i mirë, pavarësisht se dhe ai ka pak vende të ulura, pasi në vazhdim nuk do të zhvillohen ndeshje të tilla në një impiant që ka më pak se 50 mijë vende”.
“Në Kosovë ne e kemi fatin të bëjmë një stadium, të cilin e kemi të planifikuar. Ka një plan për 35 mijë vendësh, por duke marrë në konsideratë faktin që evenimente të tilla nuk bëhen nën 50 mijë vende, edhe mund ta rrisim gjatë ndërtimit. Gjithashtu unë kam bërë kërkesën zyrtarëve të FFK-së për një stadium në Katar. Disa stadiume çmontohen dhe do u jepen shteteve të cilat konkurojnë. Ne kemi konkuruar për Stadiumin 974(Ras Abu Aboud), i cili është i përbërë nga 974 kontenierë. Çmontimi është shumë i kushtueshëm, po ashtu edhe transporti, që kërkon shumë, por shpresoj që mund ta sjellim në Kosovë. Nëse vjen, atëherë bëhet fjalë për një stadium me 60 mijë vende, atëherë do e kemi mundësinë për një ndeshje të madhe”.
Tani që rritet numri i skuadrave në Botëror, si janë mundësitë për Kosovën?
“Në fakt përpara kemi kualifikueset për Europianin. Po presim përfundimin e këtij eventi, sepse të gjithë i kanë sy e veshë në Katar. Më pas do të mobilizohemi të gjithë dhe me thënë të drejtën e shikoj Kosovën në Europian në këto gara. Kemi një grup korrekt dhe shpresoj që një nga dy vendet e para të jetë i Kosovës”.