Tre vjet sprovë dhe një operacion i katërt për Marc Márquez. Ai vërtet është tashmë në fazë rikuperimi, por statusi i tij si kampion e bën gjithmonë atë të ringrihet. Dhe të gjithë tifozët shpresojnë, gjithashtu edhe Honda, pasi kanë parë se tetë herë kampioni i botës ka nisur fazën e rikuperimit me një mentalitet krejtësisht pozitiv që i jep skuadrës japoneze. Rikthimi i tij duket se po i afrohet realitetit. Márquez ende nuk ka një datë të parashikuar për t'u rikthyer në garë, aq më pak për të konkuruar, por përmirësimi pas operacionit të tij të katërt do të thotë që skuadra e tij nuk e përjashton rikthimin e tij në fund të sezonit.
15 herë kampioni i botës, Giacomo Agostini e kupton pozicionin e pilotit spanjoll teksa shprehet: “Ai është i tillë, gjithmonë jep 100%, shpresoj të kthehet si më parë. Marc është një pilot që ngre peshë zemrat e të gjithë tifozëve. Personalisht më pëlqen, ai dhe Quartararo”. Si një ish-pilot, Agostini e kupton se çfarë po kalon spanjolli, megjithëse në kohën e tij situata do të ishte dyfish e rrezikshme: “Fatkeqësisht ai u rrëzua shumë herë. Një ditë, i thashë se me një rëzim të tillë, në kohën time do të kishe vdekur pesë herë. Figura e një kampioni të tillë në këtë kategori motorësh mungon prej disa sezonesh.
Vetëm ai mund të japë atë shfaqje spektakolare konkurrimi në garat e Botërorit”. Giacomo kritikon edhe maninë e skuadrave për të rritur fuqinë dhe shpejtësinë e motorëve, gjë që po shkakton më shumë aksidente. “Do të ishte më i bukur kampionati i moto gp nëse motorët do të ishin më pak shpejtës, sepse do të qëndronin më shumë në pistë dhe do të kishte më pak aksidente” – theksoi Agostini.