RTSH Sport Live

Alban Beqiri: I bëra për vete dhe serbët

  • 09/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Alban Beqiri: I bëra për vete dhe serbët
Medalisti i bronztë në Kampionatin Botëror të Beogradit tregon përjetimet e tij

Boksi shqiptar sot ka një hero, që quhet Alban Beqiri. Në Kampionatin Botëror të Beogradit, në peshën 67-71 kilogram, arriti të merrte medaljen e bronztë. Një medalje që bëri krenar jo vetëm Albanin, por dhe të gjithë shqiptarinë, sepse u mor në mes të Serbisë. Alban Beqiri tregon për RTSH Sport përjetimet e tij në garën botërore serbe.

“Kjo ndjenjë ishte shumë e madhe pasi ishte pak problem dhe me tifozërinë, e cila nuk na priti ashtu si duhet. Nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që tifozët të më kontestonin, por nuk u fokusova te ajo gjë pasi është pjesë e politikës, unë jam sportiest. Tregova atë që di më së miri, tregova një boks të bukur në ring pasi në ndeshjet në vazhdim tifozët serb vazhduan e krijuan pëlqim ndaj meje dhe kjo më bëri të lumtur, më motivoi të përqëndrohesha më shumë”.

Një ndeshje në çdo dy ditë, ndërsa dëmtimet në dorë dhe në shtyllën kurrizore kanë qenë evidente. Dhe Beqiri ndan kufirin mes boksit amator dhe profesionist.

“Boksi amator, ka emrin amator por është më i fortë se ai profesionist. Ka ndeshje sot, pushim nesër, e përsëri ndeshje pasnesër. Ky është një turne me shtatë ndeshje dhe shtatë ndeshje janë shumë të vështira, sidomos në sportin e boksit, që është një sport shumë I vështirë dhe burrërorë”

Në raundin e parë, Beqiri fitoi me kenianin Maina. Më pas me lituanezin Banis, panamezin Bekford, jordanezin Eashash dhe vetëm në gjysmëfinale u ndal nga rusi Musaev. Por cili ishte kundërshtari më i vështirë?

“Të gjithë kundërshtarët ishin të vështirë, nga i pari te i fundit. Ndeshja që unë do e cilësoja si më të vështirën ishte në çerekfinale me jordanezin Eashash, pasi ai kishte mundur në ndeshjen e parë kampionin olimpik, kubanezin Roniel Iglesias. Por u frenua tek unë. Në atë sfidë unë nuk mendova as mesin e as dorën, doja me dëshirën më të madhe që flamuri ynë të ngrihej në atë vend. Mendoj se kam bërë të lumtur shumë shqiptarë në të gjitha trevat”.

Ndeshjet, por dhe medalja është pritur në mënyrë entuziaste në familjen e tij, apo në lagjen ku jeton. E kanë pritur si hero të dielën kur ka ardhur nga Beogradi e Beqiri ndihet ende mes krahëve të familjarëve të tij.

“Jam shumë i lumtur që kam bërë krenar babain tim, nënë time, familjen, pasi janë lumturuar pa masë. E gjithë lagjia ime më kanë pritur, ishte një emocion që më ka lënë pa fjalë, akoma po e përjetoj atë emocion”