RTSH Sport Live

Alban Beqiri, i bronztë në Botëror

  • 04/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Alban Beqiri, i bronztë në Botëror
Në gjysmëfinale nuk ia del me rusin Musaev, por bën një paraqitje dinjitoze

Alban Beqiri është zyrtarisht medalist i bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit për të rritur, që është duke u zhvilluar në Beograd. Në raundin gjysmëfinal të peshë 67-71 kilogram, Beqiri ka patur përballë rusin Musaev, më shtatlartë se boksieri bardheblu. Por që gjithsesi, Beqiri është munduar ta rivalizojë, edhe pse ka qenë i dëmtuar në dorë dhe në shtyllën kurrizore. Përfundimisht 5-0 për rusin Musaev, ndërsa pikët e gjyqtarëve të tavolinës ishin 27-30, 27-30, 27-30, 27-30, 26-30 në favor të kundërshtarit të Beqirit.

Megjithatë me katër fitore dhe një humbje në pesë ndeshje, por dhe me medaljen e parë historike në një Kampionat Botëror, Alban Beqiri ka bërë mrekullinë. Një boksier fizikisht i mirëpërgatitur, teksa ka përballuar një ndeshje në çdo dy ditë edhe në kushtet e dëmtimeve. Ndaj të gjithë duhet të jenë krenar edhe me këtë medalje të bronztë të Alban Beqirit. Gjithkush do të kishte dashur më tepër. Megjithatë ky është fillimi i një karriere, që gjithnjë ka për të shënuar majat për Alban Beqirin.