RTSH Sport Live

Alban Beqiri: Medalje historike për Shqipërinë

  • 03/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Alban Beqiri: Medalje historike për Shqipërinë
Medalisti i parë historik i dorezave shqiptare falënderon shqiptarët dhe trajnerët për arritjen

E ka patur më shumë se sa të vështirë dhënien e një prononcimi për mediat, por në fund ka vendosur të flasë. Ky është Alban Beqiri, boksieri i parë shqiptar që është medalist në një Kampionat Botëror, si ai i Beogradit. Edhe pse i dëmtuar, ndërsa ka premtuar se do t’i shkojë deri në fund këtij Botërori, Beqiri gjen momentin për t’i falënderuar shqiptarët.

“Dua të falenderoj të gjithë shqiptarët që na kanë ndjekur dhe mbështetur në ecurinë e deritanishme, ndihem krenar pasi më kanë motivuar shumë. Jam i pari nga të gjithë boksierët që sjell një medalje historike për Shqipërinë”

Por më tej suksesin e tij e ndan me të gjithë trajnerët që e kanë ndihmuar të ngjitet në karrierë, ndërsa është premtimi më i madh i boksit shqiptar.

“Dua të falenderoj trajnerin tim, ish-kampionin e peshave të rënda, Sead Bushatin. Kemi punuar papushim dhe kemi arritur rezultate të mëdha. Shpresoj të arrijmë akoma më shumë. Gjithashtu, falenderoj dhe stafin këtu, trajnerët Zef Gjoni dhe Renato Kurti”.

Tanimë e enjtja do të vendosë përfundimisht ngjyren e medaljes për Alban Beqirin, që në Tiranë do të vijë gjithsesi si një triumfator i vërtetë i dorezave kuqezi.