RTSH Sport Live

Albania Coast Trip “Vitoraci Cup” ul siparin në Gjirokastër

  • 05/11/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Albania Coast Trip “Vitoraci Cup” ul siparin në Gjirokastër
Xhonatan Islami fituesi i turneut, kurse etapën e fundit e dominoi Lukas Duda

Albania Coast Trip “Vitoraci Cup” ka ulur siparin në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, që të premten i ka pritur pilotët me kohë me diell. Një garë e zhvilluar në Aeroportin e Gjirokastrës, ndërsa pilotët janë ngritur kanë fluturuar deri në Libohovë dhe janë kthyer. Jo vetëm kaq, por do të duhet të fotografonin nga sipër dhe Kalanë e Gjirokastrës. Në përfundim në vendin e parë ishte Lukas Duda më pas në të dytin Xhonatan Islami, kurse në vendin e tretë Lukas Koçiça. Ndërkohë që në renditjen e përgjithshme të tre etapave, atje ku gjithçka nisi në Qerret e u shkua deri në Fshatin Rinia e kthim, për të vijuar nga Berati në fushat përpara Parkut Arkeologjik të Apolonisë e për ta mbyllur në Gjirokastër, në vendin e parë ishte Xhonatan Islami, pas tij Ondrej Zabojnik dhe Lukas Duda. Ja dhe emocionet e Ondrej Zabojnik për Radio Televizioni Shqiptar.

 “Në fakt e kam nisur punën për suksesin tim në Shqipëri që në etapën e parë. Finalizimi ishte në Apoloni për ta zyrtarizuar në Gjirokastër. Gjirokastra më pëlqen si vend, sepse ka male të bukura e të larta. Shqipëria është një vend i bukur, ndërsa populli është mikpritës. Një vend që bën bashkë malet dhe detin. Jam për herë të dytë dhe gjithnjë vij me kënaqësi të marrë pjesë në këto aktivitete, ku duhet të falënderoj Alket Islamin dhe Federatën Shqiptare të Aeronautikës për çfarë organizon”.

E menjëherë pas përfundimit të Albania Coast Trip “Vitoracia Cup”, drejtori teknik i Federatës Shqiptare i Aeronautikës, Alket Islami, që është njëkohësisht organizatori i eventit, ka bërë këtë përmbledhje për aktivitetin për Radio Televizionin Shqiptar.

Gjirokastra është vend ideal për sportet e fluturimit. Jo vetëm kaq, por ky aktivitet alternon sportin dhe turizmin bashkë, ndërsa pilotët patën fatin të shihnin gjysmën e bregdetit të vendit tonë. Pra besoj se gjithçka ka shkuar mirë”.

A do të jetë Aeroporti i Gjirokastrës fusha edhe e aktivitetit në fund të nëntorit?

“Do të kemi në risi në garë, sepse pilotët do të ngrihen me veriçelë apo vinç e më pas do të bëjnë fluturimin e tyre në këtë aeroport, teksa gjithçka do të jetë në disiplinën e preçizionit”, nënvizon Islami.

Islami ka treguar edhe bashkëpunimin me Bashkinë e Gjirokastrës, për më tepër që sipas tij aktiviteti në fund të nëntorit do të jetë një festë e madhe.

“Do të jetë një festë e madhe. Këtu do të ketë Festë Birre, ndeshje volejbolli e basketbolli, ndërsa pjesa e fluturimit do të jetë veç. Pra do të ketë shumë aktivitete për të argëtuar dhe fëmijët. Kulmimi pas çdo dite do të jetë në Qafën e Pazarit dhe në fund më 28 nëntor, edhe në kuadrin e festimeve të Pavarësisë, do të jetë një shou i madh”, përfundon Islami.

Një tjetër pjesëmarrës në Albania Coast Trip ishte dhe zvicerani Semen Bomio, që jep përshtypjen e tij për të gjithë aktivitetin.

 “Jam për herë të tretë në Shqipëri dhe përherë gjendem mirë këtu. Sidomos në Albania Coast Trip “Vitoraci Cup”. Gjatë ditëve të këtij aktiviteti kemi bërë disa aktivitete. Ishin gjëra shumë të këndëshme, ndërsa në përfundim mund të them që ishte një tur fantastik. Fluturimet kanë shkuar mirë dhe për fatin e mirë nuk pati as aksidente. Shqipëria është një vend i këndshëm. Popull mikpritës, natyrë e bukur me një ushqim shumë cilësor. Unë nuk mund të marrë pjesë në Gjirokastra Open, sepse jetoj në Zvicër dhe kam për të drejtuar kompaninë time, që duhet të eci përpara. Por sapo të më jepet mundësia do të jem përsëri në Shqipëri”.

Tanimë pritet të zhvillohet të dielën dhe ceremonia e dorëzimit të trofeve për të bërë mbylljen zyrtare të Albania Coast Trip “Vitoraci Cup”.