Ndeshja e së shtunës në mbrëmje mes Juventusit dhe Udinezes do të ketë një shije speciale për Maksimiljano Alegrin, që do të preki kufirin e 300 bankinave tek bardhezinjtë. Kjo duke llogaritur drejtimin e Juventusit në të gjitha aktivitetet. Në podiumin e historisë së Juves, Alegri është në vendin e tretë pas Xhovani Trapatonit dhe Marçelo Lipit, por Alegri ka një përqindje më të lartë të fitoreve: 69 përqind ndaj 56 përqind të Lipit dhe 54 përqind të Trapatonit. Për Alegrin në 299 ndeshje në drejtimin e Juventusit janë 207 fitore, 48 barazime dhe 44 humbje.
Maksimiljano Alegri ka fituar pesë tituj kampion në Serinë A, ndërsa është një më pak se Trapatoni. Dhe ky i fundit është gjithnjë në krye të renditjes për numrin e sukseseve (213), ndërsa Alegri mbetet në 153. Megjithatë trajneri nga Livorno është në vendin e parë, së bashku me Luixhi Bertolinin dhe Antonio Konten, kjo për përqindjen e fitoreve në krye të skuadrës në kampionat, e cila është në shifrën 73 përqind.
Në epokën e tri pikëve për një fitore, mes trajnerëve me të paktën 25 ndeshje me një ekip të vetëm, askush nuk ka një përqindje më të mirë suksesi se Alegri. Antonio Konte është në të njëjtin nivel me 73 përqind. Ndër teknikët e Juventusit vetëm Marçelo Lipi (20), Xhovani Trapatoni (14) dhe Maksimiljano Alegri (12) kanë qenë trajnerë në më shumë se dhjetë finale. Alegri është gjithashtu një nga katër trajnerët që ka arritur dy herë në finalen e Ligës së Kampionëve.
Ai është në të njëjtën kuotë me Lipin (katër finale) dhe Trapatoni (2). Maks, megjithatë, ishte i vetmi që arriti në një finale të Ligës së Kampionëve në vitin e parë në të cilin ai drejtoi Juventusin. Me Superkupën e humbur ndaj Interit, ai u bë edhe trajneri më i pranishëm në histori në këtë kompeticion (shtatë pjesëmarrje) duke kaluar Lipin.
Vetëm dy herë Juve ka mbajtur portën e paprekur në 10 ndeshje radhazi të Serisë A dhe e ka arritur në të dyja herët me Alegrin në stol. Kjo midis janarit dhe marsit 2016 dhe midis janarit dhe marsit 2018. Madje rekordi i fitoreve të njëpasnjëshme në Serinë A të Juves është me Alegrin, 15, kjo mes tetorit 2015 dhe shkurtit 2016. Leonardo Bonuçi dhe Paulo Dibala kanë dy rekorde me Alegrin.
I pari është me më shumë paraqitje, 208, dhe me më shumë ndeshje si titullar, 200. Kurse lojtari argjentinas ka shënuar më shumë gola nën drejtimin e Maks, 87. Atë e ndjek në distancë, me 55 gola, një tjetër argjentinas, Gonzalo Higuain. Bonuçi ka gjashtë paraqitje më shumë se Dibala (ndaloi në 202).
Më poshtë në renditje janë Kielini (197), Aleks Sandro (182) dhe Bufon (168). Në Serinë A, seria më e gjatë e ndeshjeve me gola për Juventusin ishte 44, kjo me trajnerin e Livornos në stol, midis tetorit 2016 dhe dhjetorit 2017.