Skuadra Alfa Romeo njofton arritjen e marrëveshjes me pilotin aziatik, Guanyu Zhou i cili do të ulet në njëvendëshen italiane duke nisur që prej sezonit të ardhshëm. 22-vjecari vjen pas një viti të suksesshëm në Formula 2 ku arriti të fitonte edhe titullin kampion ndërsa në F1 ka eksperiencë si pilot testues i skuadrës Alphine. Emri i tij ishte lidhur prej disa muajsh me Alfa Romeon pasi skuadra njoftoi largimin e Antonio Giovinazzit në sezonin e ardhshëm.
Bashkë me Zhou, me Alfa Romeon në vitin 2022 do të garojë edhe Valteri Bottas. Vetë piloti kinez shprehet i lumtur për firmën e hedhur në kontratën që do ta lidhe minimalisht një sezon me skuadrën historike të Formula 1. “Është një moment historik për mua dhe Kinën që do të përfaqësohet me një pilot për herë të parë në këtë sport. Jam shumë i motivuar për këtë aventurë të re”, thekson 22-vjecari.
Afrimi i Zhou nga ana e Alfa Romeos është gjithashtu një strategji marketing për skuadrën italiane e cila kërkon të zgjerojë sa më shumë markën e saj në tregun aziatik dhe Zhou është emri i duhur për të rritur këtë markë në këtë aspekt shumë të rëndësishëm për mbijetesën e skuadrave sot.