Alketa Doçi është përfaqësuese e një brezi të artë të volejbollit shqiptar me Kombëtaren dhe Dinamon dhe ish-lojtarja e shquar ka patur të shtunën një rikthim emocional tek skuadra e saj e zemrës. Pas një periudhe harrese, Dinamo e rrjetës po rikthehet, tashmë me përpjekjet e mëdha të ish-trajnerit të Kombëtares, Altin Martiri, dhe në prag të ndeshjes së Kupës “Rinia” për grupmoshën e Nën-20-vjeçareve, blutë kryeqytetase i kanë bërë një dhuratë simbolike ish-lojtares së njohur, fanellën e saj me nr. 4. Për vetë Doçin, rikthimi i Dinamos është një ogur i mirë për volejbollin shqiptar.
“Ka patur një Dinamo dhe çfarë Dinamo, ka qënë në nivelet më të larta. Sot jam shumë e lumtur që Dinamo vazhdon. Kemi kaluar në Shqipëri periudha të vështira, ka patur vështirësi të ndryshme në të gjitha nivelet, por unë jam shumë e lumtur që ka përsëri Dinamo. Këto vajza të reja janë nën 20 vjeç dhe kanë talent, kanë në gjak volejbollin dhe më vjen shumë mirë. Shpresoj të rriten dhe të rikthejnë skuadrën aty ku ka qënë”.
Po kështu, ish-volejbollistja e njohur mezi po pret rikthimin në normalitet edhe për Kombëtaren e femrave.
“Shpresoj gjithashtu. Ne kemi patur Kombëtare vazhdimisht, edhe para dy tri vitesh i kam parë. Shpresoj të rregullohet situate dhe të kemi edhe ndeshje me cilësi, ky është qëllimi”.
Tashmë në detyrën e Këshilltares në Ministrinë për Rininë dhe Fëmijët, Doçi synjon të kontribuojë edhe më tepër për sportin në përgjithësi dhe volejbollin në veçanti.
“Ne kemi bërë një projekt për të cilin po punojmë shumë. I kemi dhënë shumë rëndësi sportit. Jo vetëm volejboll, porn ë të gjitha sported e tjera tu japim mundësinë fëmijëve që të luajnë, të meren me sport, të aktivizohen dhe shpresoj se do e realizojmë”, ka theksuar Doçi