RTSH Sport Live

Amar Koçi, i argjendti i boksit shqiptar

  • 24/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Amar Koçi, i argjendti i boksit shqiptar
Nënkampioni i Europës për moshat deri në 16 vjeç shihet si një e ardhme e ndritur e “dorezave” në vend

Amar Koçi, nënkampioni i Europës për moshën deri në 16 vjeç në boks, është nderuar jo vetëm nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar për arritjen e tij, por dhe Federata Shqiptare e “dorezave”. Për Presidentin e Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, Koçi tanimë mund të radhitet mes emrave të ndritur aktual të sportit të dorezave në vend.

"Amari ka dhjetë vjet mbase, që në moshë të vogël që stërvitet pa ndërprerje. Ne kemi dy-tre vjet që prisnim që ky të shpërthente. Dhe kjo ndodhi vjet në Kampionatin Europian të U-16, ku Amari u shpall nënkampion Europe", thekson i pari i boksit shqiptar.

Por çfarë pritet nga Amar Koçi përgjatë vitit 2023, ndërsa janë një sërë aktivitetesh ndërkombëtare?

"Amari do të marrë pjesë në Kampionatin Europian U-18 dhe synimi jonë është i qartë, medalje europiane", thotë Kalivopulli,

E nivelin aktual të Amarit, kjo në raport jo vetëm me boksierët e moshës 16 vjeç, por dhe ato 18 vjeç, e shpjegon për mediat, trajneri i tij, Artur Koçi

"Amarin e karakterizon fuqia dhe forca që kishte ndaj boksierëve të tjerë. Mbi të gjitha stërvitja e vazhdueshme që ai ka bërë dhe kampionatet ku ka marrë pjesë dhe ku ne e kemi suportuar si klub. Ndaj dhe arriti aty ku pretendonim", nënvizon Artur Koçi.

Vetë protagonisti i medaljes së argjendtë në Montesilvano në tetor 2022, Amar Koçi, do të falënderonte të gjithë ata që e kanë mbështetur, ndërsa është i bindur që sukseset e tij nuk kanë për të mbaruar këtu.

"Dua të falënderoj klubin e Studenti dhe presidentin e saj, Blendi Nallbani, i cili na ka mbështetur dhe na ka financuar", ka thënë Amar Koçi.