RTSH Sport Live

Analiza e Muçës: Tirana luan me mendjemadhësi, Partizani nuk bindi, Vllaznia pa personalitet

  • 04/09/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Analiza e Muçës: Tirana luan me mendjemadhësi, Partizani nuk bindi, Vllaznia pa personalitet
Shkëlqim Muça, në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH

Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH ka analizuar javën e dytë të “Abissnet Superiore”.

Fitorja e vuajtur e Partizanit - “Prisja që Partizani të ishte në një nivel më të lartë, por nuk ndodhi kështu. Po të kishte përballë një skuadër më me eksperiencë përballë edhe mund të goditej. Në pjesën e dytë bëri disa lëvizje, por mund të kishte dalë edhe pa pikë. Nga ana tjetër pashë një Laçi me shumë personalitet, pavarësisht se kishte shumë lojtarë të rinj, më pëlqeu”.

Skënderbeu, surpriza e dy javëve të para - “Skënderbeu është një skuadër me lojtarë që punojnë me dëshirë. Në javën e parë ndoshta Egnatia e mori lehtë sfidën. Me Dinamon ishte një ndeshje pothuajse e barabartë. Trajneri Gvozdenoviç e njoh nga afër, kam punuar me të, është inteligjent. Por rruga është e gjatë, të shikojmë”.

Barazimi mes Teutës dhe Tiranës - “Ndeshje e luajtur me shumë grint nga të dyja skuadrat. Më bëri përshtypje Teuta, e organizuar, me lojtarë me shumë dëshirë, gjithmonë në ritëm. E vunë në vështirësi Tiranën. Është një skuadër që premton, në ndërtim e sipër. Tiranën e shikoj në një ngërç, nëse nuk ka presion, atëherë bëhet një skuadër e zakonshme. Tirana luan me mendjemadhësi, duhet të punojë me këmbë në tokë, duhet të punojnë të gjithë”.

Vllaznia, ekip pa personalitet kur luan jashtë -  “Po flasim për disa skuadra me lojtarë të rinj dhe me shumë dëshirë. Futbolli është lojë grupi. Nuk e mendoja Erzenin në këtë nivel, më pëlqeu. Ndërkohë, Vllaznia është një ekip pa personalitet jashtë. Në Shkodër luan mirë, jashtë jo. Ishte një barazim i merituar për skuadrën e Erzenit”.   

Humbja e Kukësit dhe largimi i trajnerit - “Hallaçi duhej të mbështetej, e kam thënë gjithmonë, Kukësi ka qenë në kolaps prej kohësh, nuk ka se çfarë të bëjë trajneri”.