RTSH Sport Live

Analiza e Muçës: Tirana ra në kurthin e Kukësit

  • 22/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Analiza e Muçës: Tirana ra në kurthin e Kukësit
Analiza e Shkëlqim Muçës për javën e nëntë të Abissnet Superiore

Kukësi i ka shkaktuar Tiranës humbjen e parë në kampionat, Partizani vazhdon me barazimet 1-1, në të njëjtën linjë edhe Dinamo. Vllaznia i rikthehet suksesit, ndërsa Teuta barazon me Skënderbeun. Rikthehet Superliga pas ndeshjeve të Kombëtares, rikthehet dhe Shkëlqim Muça me analizën e tij në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH.

Humbja e parë për Tiranën, meritë e Kukësit  – “Tirana ishte në një ditë jo të mirë. Edhe trajneri e kishte ndërtuar lojën jashtë stilit të zakonshëm. Kukësi kishte një strategji, për ti ulur ritmin skuadrës bardhebluve. Mendoj se Tirana ra në kurthin e Kukësit. Edhi një moment që skuadra bardheblu nuk kishte më ekuilibër. Ndoshta ndeshja e mesjavës në Kupë ka ndikuar, pasi nuk kishte freski. Kukësi është një skuadër që e ka mbajtur ritmin e lojës, prandaj bardheblutë duhet të kishin marrë masa. Tirana kishte hequr dorë nga agresiviteti dhe kur e bën një gjë të tillë bëhet një skuadër e zakonshme”.

Barazimi i Dinamos me Egnatian - “Një ndeshje ku rezultati më i drejtë ishte barazimi. Të dyja skuadrat kërkuan për ta fituar. Egnatia, nga ndeshja në ndeshje po konsolidohet. Gjithsesi, mendoj se sulmuesit duhet të sakrifikojnë më shumë. Kur mbaron aksioni, ecin. Dinamo ka nevojë të konsolidohet, Skuka mendoj se meriton më shumë besim. Megjithatë, lojtarë ka, por duhet punuar për një konsolidim më të mirë”.

Rikthimi i Vllaznisë - “Vllaznia ka cilësi, ka nevojë të akomodohet mirë. Është rikthyer dhe Hoxhaj, i cili sakrifikon shumë për skuadrën, por edhe shënon. Skuadrës i mungojnë shumë pikë, duhet të rikuperojë, por ka akoma kohë. Mendoj se Hoxhaj do të jetë një forcë më shumë për skuadrën. Kam përshtypjen se skuadrës i mungon një lojtar që luan mes dy linjave, sulmon hapësirat që krijon sulmuesi, në sezonin e kaluar këtë e bënte Imeri”.

Barazimi i Partizanit - “Laçi dominoi mesin e fushës, Partizani nuk kishte forcë për ta vënë në vështirësi kundërshtarin. Kaçe është një lojtar që duhet të jetë aty, mund të luajë 60 minuta, nëse nuk mban 90 minuta në këmbë. Është një lojtar që ka eksperiencë, duhet, jo të aktivizohet në fund. Mendoj se duhet të kërkojnë më shumë në fazën sulmuese”.

Ecuria e Teutës - “Nuk fiton sepse nuk e meriton të fitojë. Teuta nuk është aty ku duhet, lojtarët nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Tashmë është një skuadër që atakohet kollaj, nuk është më ajo e mëparshmja, solide në mbrojtje. Ka patur dhe shumë dëmtime, lëvizje në skuadër. Kallaku është shumë larg asaj që kemi pritur, po përmirësohet por është akoma shumë larg”.