RTSH Sport Live

Angli-Izrael, është finale

  • 28/06/2022
  • |
  • Futboll Bota
Angli-Izrael, është finale
Të martën u luajtën dy gjysmëfinalet, Angli-Itali 2-1 dhe Francë-Izrael 1-2

Kampionati Evropian i Nën-19-vjeçarëve në futboll, që po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka luajtur edhe aktin e tij të parafundit, teksa të martën janë zhvilluar dy duelet e gjysmëfinaleve. Kështu, duke nisur nga ora 17:00 është luajtur dueli i parë, Angli-Itali, ndërsa duke nisur nga ora 20:00 ai i dytë, Francë-Izrael, dhe të dy këto sfida janë transmetuare drejtpërdrejt në RTSH Sport.

Në takimin e parë, janë italianët që e gjejnë rrugën e rrjetës pas 11 minutash lojë, pas një 11-metërshi të saktë të Miretit. Me këtë epërsi të Italisë do të mbyllet pjesa e parë, por në pjesën e dytë, Skot barazon shifrat në minutën e 58-të për Anglinë. Dhe 8 minuta para fundit të kohës së rregullt, anglezët gjejnë golin e fitores, me autor Kuonsasë.

Anglia mund kështu Italinë 2-1 dhe do të ndeshet në finale me Izraelin, që ka qenë padyshim e papritura e këndshme e këtij turneu. Ndonëse vinte si favorite në gjysmëfinale, Franca 3 herë “kampionen” e kontinentit, e ka mbyllur pjesën e parë në disavatazh, pas një autogoli të Turesë, në minutën e 29-të.

Pjesa e dytë sheh Izraelin që guxon në nisje dhe shpërblehet në minutën e 67-të, kur Kancepolski gjen golin e dytë. Virzhinius do të shkurtojë 5 minuta më pas shifrat për francezët.

Përtej 28 minutave të mbetura të kohës së rregullt dhe atyre 7 shtesë, Izreali e mbron heroikisht fitoren dhe siguron vendin në finale, aty ku do të kërkojë hakmarrjen ndaj Anglisë, që e ka mundur minimalisht në ndeshjen e grupit. Si gjysmëfinalet që u luajtën të martën, ashtu edhe finalja e së premtes, që luhet në Stadiumin e Tërnavës duke nisur nga ora 20:00 do të vijnë drejtpërdrejt në RTSH Sport.