RTSH Sport Live

Angli-Skoci, arrestime mes tifozëve

  • 19/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Angli-Skoci, arrestime mes tifozëve
Policia londineze ka ndaluar 26 fansa skocezë për prishje të rendit publik

Derbi britanik i Kampionatit Europian, mes Anglisë dhe Skocisë, që është luajtur të premten në mbrëmje në “Uembli”, nuk ka përfunduar krejtësisht në paqe. Përtej barazimit pa gola 0-0 në fushën e lojës, prania e tifozëve të shumtë të të dy skuadrave ka sjellë dhe rrëmuja në kryeqyteti britanik.

Janë 26 persona të arrestuar në Londër mes të premtes dhe së shtunës, gjatë një operazioni të policisë londineze për ndeshjen e EURO 2020 mes Anglisë dhe Skocisë luajtur në Uembli, sikurse raporton policia londineze. Të arrestuarit janë akuzuar për prishje të rendit publik, mbajtje të një arme sulmi, për gjendjen e tyre të dehur dhe sulm ndaj zyrtarëve të policisë, ndërsa ka pasur dhe të plagosur të lehtë.

Policia ka thënë që pas barazimit 0-0 në Uembli, në veri-perëndim të Londrës “një grumbull i madh” është formuar në “Lejstër Skuar” në qendër të qytetit. Sheshi është boshatisur rreth orës 1:15 të mëngjesit, edhe pse grupe të vogla kanë mbetur në zonat përreth. Në fakt në Londër kanë qenë 22.000 skocezë, ndërsa vetëm rreth 3000 kanë patur të drejtën të hyjnë në Uembli atje ku kanë qenë të pranishëm vetëm 22.500 shikues.