RTSH Sport Live

Anglia e Zvicra, në çerekfinale

  • 24/05/2023
  • |
  • Futboll Bota
Anglia e Zvicra, në çerekfinale
Europiani i moshës deri në 17 vjeç në Hungari, mbyllen ndeshjet në grupe

Anglia dhe Zvicra i shtohen Polonisë, Irlandës, Gjermanisë dhe Francës në raundin çerekfinal të Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç, i cili është duke u zhvilluar në Hungari dhe që po vjen drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Të dyja skuadrat, pas barazimit pa gola në Debrecen, kanë ndarë vendin e parë dhe të dytë në grupin D, ndërsa e kanë përfunduar gjithçka në kuotën e 7 pikëve.

Të parët që ngacmojnë janë anglezët, ndërsa në të 12’, Oboavido është bllokuar nga pritja e Muslijas. Menjëherë kundërpërgjigjet Zvicra, e cila në të 21’ provon me Ze, por Kërd është në pozicion. Aksionet janë të rrjedhshme dhe në të 24’, Parente i Zvicrës është ndalur nga shtylla pingule e portës angleze. E njëjta situatë prodhohet në të 31’ në portën e Zvicrës, por dhe këtë herë Muslija frenon Dajer. Dhe Zvicrës i anullohet dhe goli në të 36’, ndërsa Ze ishte në pozicion jashtë loje. Për ta mbyllur pjesën e parë vlen Romano, që e detyron Kërd të tregojë aftësitë e tij për të mos lejuar golin.

Pjesa e dytë duket si apatike, por me një Zvicër, e cila është e gatshme të bëjë dëm në çdo moment. Në të 71’ Boteli ka fituar penallti pas ndalimit nga pas të Xhemajd. Boteli e merr përsipër vetë këtë njëmbëdhjetëmetërsh, veçse Kërd bën heroin dhe grushton. Shansi i fundit i Zvicrës ishte në të 90’ në një goditje të Xhemalijas, që përfundon në shtyllën e djathtë pingule. Përfundimisht 0-0 në një barazim që nuk i prishi punë askujt, ndërsa Anglia e Zvicra vazhdojnë më tej bashkë në këtë Europian.