RTSH Sport Live

Anglia rrezikon 5 yje të saj në “Katar 2022”

  • 02/10/2021
  • |
  • Angli
Anglia rrezikon 5 yje të saj në “Katar 2022”
Mospranimi i vaksinimit mund t’i mohojë trajnerit Sauthgejt disa prej titullarëve në Botëror

Janë pesë lojtarë të Anglisë rrezikojnë pjesëmarrjen në Botërorin “Katar 2022” dhe shkak për këtë është bërë pikërisht “Covid-19”. Në fakt, shpresat e Anglisë për ta fituar, për herë të parë që nga 1966-ta, veprimtarinë më prestigjioze të futbollit botëror, që do të mbahet në fund të vitit të ardhshëm, mund të marrin një goditje të fuqishme pasi u raportua se pesë lojtarë të përfaqësueses së “Tre Luanëve” ende nuk janë vaksinuar.

Organizatorët e Botërorit të ardhshëm po planifikojnë që të mos i pranojnë në turneun që do të zhvillohet në Katar lojtarët që nuk janë të vaksinuar. Kjo do të thotë se trajneri Gareth Sauthgejt duhet të vendosë nëse dëshiron që t’i bindë ata lojtarë ta bëjnë vaksinën apo të përballet me largimin e tyre. E përditshmja prestigjioze “The Sun” ka raportuar se të paktën pesë lojtarë të Anglisë po e refuzojnë bërjen e vaksinës.

Tre prej lojtarëve janë anëtar të ekipit të parë që ishin pjesë e Anglisë në rrugëtimin e kësaj përfaqësueseje deri në finale të Kampionatit Evropian që u mbajt në verë. Anglia, e cila kryeson renditjen e grupit I të Eliminatoreve, në kuotën e 16 pikëve, 4 më tepër sesa Shqipëria dhe 5 më tepër sesa Polonia, praktikisht e siguron që tani kalimin në fazën finale të Botërorit 2022, që zhvillohet në Katar, nëse mposht Andorrën dhe Hungarinë këtë muaj dhe nëse rezultatet e tjera shkojnë sipas interesit të saj.